Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fëmijët kosovarë, lehtë e pa kontroll, i ekspozohen pornografisë

Nën 15, 2020

Interneti si një nga shpikjet më të mëdha të shekullit të kaluar, ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e të jetuarit e aq më tepër të komunikimit.

Sot, njerëzit pashmangshmërisht janë të ndikuar nga interneti dhe fal informacioneve dhe mundësive të pafundme që ofron ai është shndërruar në një domosdoshmëri. Njoftimi për të rejat e fundit, kontaktimi me njerëzit e dashur, blerja e artikujve të ndryshëm, publikimi i fotografive, videove, zhvillimi i bizneseve janë vetëm disa nga mundësitë që ofron interneti sot.

Por, pavarësisht të mirave, shpikja e tij ka pasuar edhe disa anë negative për shoqërinë. Si pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, fëmijët dhe adoleshentët janë ata që janë më të lidhur me këtë pjesë të teknologjisë, por rrjedhimisht janë edhe “viktima” më të shpeshta të efekteve anësore të saj.

Si dritare e pakufishme informacionesh e mundësi e pafundme e “lundrimit”, interneti u ka dhënë qasje të miturve të edhe në përmbajtje të papërshtatshme për moshën e tyre. Kjo dhe jo vetëm, i ka bërë të rinjtë e sotshëm më të dhunshëm, më abuzues e agresiv.

Më shqetësuese sot është qasja shumë e lehtë, pa pasur nevojë për identifikim moshe, në faqet pornografike. Një tendencë e tillë është në rritje duke pasur parasysh se fëmijët qysh në moshë të vogël kanë pajisjet e veta teknologjike dhe nuk kanë kontroll nga prindërit mbi përmbajtjet që ata shohin çdo ditë.

Siç tregon një analizë të CNN, në vitin 2013, fëmijët nën moshën 8 vjeçare kalonin rreth 15 minuta para ekranit, derisa në vitin 2017 minutat e kaluara para ekranit nga këta fëmijë u rritën për tri herë, pra në 48 minuta.

Më 2017, 48% e kësaj grupmoshe kishin tabletët e tyre personal, krahasuar me vetëm 7% katër vite më parë, derisa më 2011 shifrat tregonin vetëm 1% të fëmijëve që kishin pajisje teknologjike personale.

Një hulumtim tjetër nga  “Australian Childhood Foundation” tregon se më 2016 mosha mesatare e ekspozimit për herë të parë ndaj pornografisë ishte 11 vjeç, derisa  100% e 15 vjeçarëve djem të përfshirë në studim dhe 80% e vajzave të së njëjtës moshë kanë pranuar se kanë parë përmbajtje pornografike të dhunshme.

Pornografia përkufizohet si përshkrim i sjelljes erotike (shfaqjes seksuale në fotografi ose shkrim) që synon të shkaktojë eksitim seksual te shikuesit. Gjatë dekadës së fundit ka pasur një rritje të madhe të materialit pornografik që është në dispozicion si për të rriturit ashtu edhe fëmijët.

Lidra Shabanit, psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë thotë se ekspozimi i fëmijëve ndaj pornografisë është për shkak të përdorimit të madh dhe numrit të madh të përmbajtjeve që ofron interneti, si një nga trendet më të përhapura në botë.

Sipas saj, kjo pasohet me një sërë efektesh negative në shëndetin mendor, emocional e fizik.

Këto përfshijnë nivelet e rritura të depresionit, ankthit, sjelljes së dhunshme, rritjes së rrezikut të shtatzanisë në moshë të re, dhe një pamje të deformuar të marrëdhënieve në  mes gjinisë mashkullore dhe femërore”, rendit pasojat psikiatrja.

Shabani shtron nevojën për mbrojtjen e fëmijëve nga qasja në faqe të tilla duke i kontrolluar ata që në fazat e hershme të edukimit. E rëndësishme, sipas saj është që fëmijëve t’u tregohet se nuk bën të ndajnë informata personale me të tjerët në internet dhe t’u krijohet një vetëdije dhe qendrim kritik për shmangien e përmbajtjeve pornografike.

Një studim i Qendrës për Studime të Avancuara, FIT dhe Save the Children i publikuar në vitin 2016, tregon se ka pasur rënie në përqindjen e shikimit të përmbajtjeve të papërshtashme dhe shpeshtësisë së shikimit të tyre, nga viti 2014 deri më 2016. Studimi zbulon se 26% e fëmijëve të moshës 12 deri 15 vjeç kanë parë përmbajtje pornografike, krahasuar me 38% sa kishin deklaruar më 2014. Në po të njëjtin vit, 41% e fëmijëve kishin parë përmbajtje të tilla të paktën një herë në javë, ndërsa dy vite më vonë përqindja kishte zbritur në 15%.

Ndonëse rënia e numrit të fëmijëve që janë ekspozuar ndaj pornografisë është lajm i mirë, brengosës është fakti se në një periudhë dy vjeçare është ulur numri i atyre që janë shqetësuar nga këto përmbajtje ( nga 42% më 2014, në 38% në vitin 2016). Ky studim ka gjetur se në vitin 2014 vajzat ishin më të shqetësuarat nga këto përmbajtje me 45%  në krahasim me 40% të djemve. Në vitin 2016, 40% e vajzave janë deklarara si të shqetësuara, ndërsa nga gjinia mashkullore 37%.

Duke theksuar se abuzimi me internetin nga fëmijët është pasojë e mungesës së zhvillimit të të menduarit kritik, sociologu Driton Zeqiri përgjegjësinë për këtë ia adreson sistemit arsimor në vend dhe vetë prindërit e fëmijëve.

Sistemi i edukimit në Kosovë është jo efikas në zhvillimin e kompetencës së të menduarit kritik te fëmijët. Familja është po ashtu e papërgatitur të udhëzojë dhe këshillojë fëmijën për mënyrën e përdorimit të internetit, sepse ato njohuri në të shumtën e rasteve nuk i kanë as të rriturit”, konsideron Zeqiri.

Ai thotë se fëmijët ekspozohen ndaj atyre pamjeve të dhunës dhe terrorit që kryesisht shfaqen në internet dhe televizione dhe konsideron se këto të fundit duhet t’i rishikojnë politikat e tyre për t’i evituar përmbajtjet e tilla.

Psikiatrja për fëmijë dhe adoleshentë, Adelina Ahmeti-Pronaj e sheh shumë të rrezikshëm ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë qysh në moshë të hershme. Pasojat më të mëdha sipas saj do të jenë në aspektin mendor dhe mund të jenë afatgjate.

Por, gjithsesi ajo thotë se pasojat varen nga mosha prej kur ai nis ekspozimin në faqet e tilla e sigurisht edhe ambienti në të cilin jeton fëmiju.

Nëse është ambienti është mbështetës, efektet do të jenë më të vogla se minimale, por nëse ka një ambient që edhe ashtu është toksik edhe i ekspozohet toksitetit, efekti do të jetë edhe më rëndë për fëmijët”, thotë ajo.

Për t’i ruajtur fëmijët nga përdorimi i gabuar i internetit dhe rrjedhimisht qasjes në faqet pornografike, Feride Dashi nga UNICEF këshillon që të bisedohet me fëmijët për t’i vetëdijësuar ata për rrezikun që mund të sjell kërkimi e komunikimi i pakufizuar e i pakontrolluar në internet.

Ajo sugjeron që vetë prindërit të bëhen model për fëmijët e tyre dhe të caktojnë rregulla së bashku lidhur me përdorimin e internetit.

Për të mbrojtur fëmijët nga interneti mjafton vetëm t‟i mbash nën kontroll të vazhdueshëm kur qëndrojnë pranë kompjuterit, dhe prindërit duhet të vendosin raporte miqësore dhe korrekte me fëmijët, t’ua shpjegojnë gjërat për të cilat fëmijët do duhet të kenë kujdes gjersa janë online”, thotë Dashi.

Ajo tregon se shfrytëzimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve është bërë pjesë përbërëse e punës programike të UNICEF-it në nivel global, ndërsa Zyra në Kosovë nuk ka ndonjë program të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve nga interneti.

Prindërit si akterë shumë të rëndësishëm në këtë mes i sheh edhe psikiatrja, Shabani. Ajo këshillon ata që të bisedojnë më shumë me fëmijët për edukimin seksual dhe me raste t’ua kufizojnë ekspozimin ndaj përmbajtjeve të dëmshme.

Shabani e sheh këtë si një pikënisje të mirë, por rithekson se rezultatet më të mira arrihen kur fëmijët zhvillojnë një pikëpamje kritike në raport me përmbajtjet pornografike.

Zyrtarja për Mbrojtjen e Fëmijëve në UNICEF, Feride Dashi konsideron se zgjidhje mund të jetë edhe hartimi i një ligji, i cili i detyron qendrat e internetit dhe internet-kafet të vendosin filtra ose programe sigurie në kompjuterët që frekuentohen nga fëmijët dhe adoleshentët.

Censurimin dhe kufizimin e moshës për faqet që ofrojnë përmbajtje pornografike e sheh të domosdoshme edhe psikiatrja, Ahmeti-Pronaj.

Ajo thotë se duke pasur parasysh që shoqëria jonë nuk është e informuar për efektet negative që mund të ketë interneti tek fëmijët, një kontroll mbi faqet +18 është më se i rëndësishëm.

Një zgjidhje dhe parandalim i keqësimit të gjendjes mendohet të jetë futja e përdorimit të internetit si lëndë në shkolla, kur e dimë rolin kyç që ka ky institucion në edukimin dhe formimin intelektual të fëmijëve.

Sipas Lidra Shabanit, kjo do t’u mundësonte fëmijëve të njihnin më mirë anët pozitive dhe negative të përdorimit të internetit dhe ata do të fitonin shkathtësi të gjurmimit të dijes dhe informatave në internet, të cilat do t’u shërbenin më shumë në formimin e tyre.

Edhe këtu trekëndëshi  fëmijë, prind, mësimdhënës, sikundër në shumë dimensione të tjera, është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, përfundon Shabani.

Edhe zyrtarja e UNICEF-it, e shtron nevojën që shkollat të fillojnë sa më shpejtë reflektimin e dukurive negative që vijnë si pasojë e ndryshimeve teknologjike. Sipas saj, shkollat duhet të përmirësojnë kurrikulat shkollore lidhur me teknologjinë, internetin, si dhe të shtojnë numrin e mësimdhënësve të kualifikuar në këtë fushë.

Për shembull, në kuadër të lëndës së teknologjisë apo lëndëve të tjera shoqërore, Interneti do duhej të zinte një vend të rëndësishëm gjatë ligjërimit të këtyre lëndëve. Në klasat e ulta mësuësit përdorin module të ndryshme, në mes të cilave do duhet të jetë edhe Siguria nga Interneti”, thotë ajo.

Ahmeti-Pronaj mendon se do të kishte qenë mirë që fëmijët në shkolla të kenë një lëndë ku mësojnë se si koha që ata kalojnë në internet të jetë më efektive dhe të mirat e përdorimit të tij.

Ajo thotë se TIK-u është lënda që tashmë e mësojnë dhe lidhet me teknologjinë por nuk lidhet shumë me procesin edukativ rreth internetit.

Kish qenë mirë dhe lënda sa i përket edukimit, përdorimi i rrjeteve elektronike si proces edukativ se si të funkionalizohet dhe të bëhet më efektive koha e përdorimit të internetit, do të thotë cilat janë të mirat,… fëmijët e kanë TIK-un si lëndë por jo në aspektin edukativ”, përmbyll mendimin e saj, psikiatrja Ahmeti-Pronaj.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM