Komuna e Ferizajt ka bërë apel qytetarëve që të shtohet kujdes në qarkullimin rrugor duke shmangur rreziqet eventule nga vërshimet dhe të shmangen lëvizjet jo të domosdoshme në akset rrugore në afërsi të zonave malore për të parandaluar rreziqet eventuale.
Komuna bën të ditur se që nga orët e hershme e mëngjesit, por dhe në ditët paraprake, ekipet e emergjencave publike, janë në terren dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të sanuar gjendjen, ndonëse reshjet e shiut janë të pandalshme.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Ferizajt!
Reshjet e dendura e të pandërprera të shiut mbrëmë, po paraqesin vështirësi qarkullimi në disa nga akset rrugore të Ferizajt. Kjo si rrjedhojë e vërshimit në disa pjesë të qytetit dhe fshatrave që pamundëson qarkullimin normal të mjeteve motorike dhe këmbësorëve. Duke marr për bazë këtë gjendje, këtë fatkeqësi natyrore që ka përfshirë gjithë vendin tash e sa ditë, kërkohet shtimi i kujdesit nga ana juaj në qarkullimin rrugor duke shmangur rreziqet eventuale nga vërshimet. Nga ekipet që po punojnë në terren, konstatohet se asnjë lokalitet aktualisht nuk është i bllokuar tërësisht në qarkullimin rrugor.
Gjithashtu, ju bëjmë të ditur, se që nga orët e hershme të mëngjesit, por dhe në ditët paraprake, ekipet e emergjencave publike, janë në terren dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të sanuar gjendjen, ndonëse reshjet e shiut janë të pandalshme edhe tani. Pra, autoritetet janë në krye të detyrës duke monitoruar dhe vepruar konform situatës, andaj çdo tentativë për të bërë politikë me fatkeqësi të tilla natyrore, nuk i shërben situatës, përkundrazi.
Apelojmë tek qytetarët që shtojnë kujdesin në qarkullimin e tyre në akset rrugore ku janë hasur vështirësi kalimi nga vërshimet, si dhe njëkohësisht kërkojmë që të shmangen lëvizjet jo të domosdoshme në akset rrugore në afërsi të zonave malore për të parandaluar rreziqet eventuale”.