Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kosovë-BE, takim digjital për Inovacion, shoqërinë e informacionit dhe politikat sociale

Shk 11, 2021

Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin digjital për t’i diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat nga arsimi, politikat sociale dhe punësimi, telekomunikacioni dhe politikat audio-vizuale, e deri te trashëgimia kulturore.

Takimi u bashkë-kryesua nga Zyra e Kryeministrit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Drejtoritë e Përgjithshme dhe Ministritë tjera. Diskutimi u mbajt në kornizën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) e cila hyri në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova ranë dakord për rëndësinë e implementimit të Agjendës Evropiane të Reformës dhe prioriteteve të Programit të Reformës Ekonomike si dhe rekomandimet nga Raporti I Komisionit për Kosovën 2020 dhe konkluzionet e nën-komiteteve të mëhershme.

Në temën shoqëria e informacionit, Kosova ka bërë progres në implementimin e marrëveshjes rajonale për roaming. Është vërejtur se, duke pasur parasysh zhvillimet politike, shumë nga ligjet e hartuara për sigurinë kibernetike, si dhe për harmonizimin me Direktivën e Sigurisë së Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit dhe Rregulloren për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet për Transaksionet Elektronike në Tregun e Brendshëm nuk u miratuan nga Kuvendi. Kosova u inkurajua që me shpejtësi ta miratojë këtë legjislacion sapo të jetë në funksion Qeveria e re dhe të mblidhet Kuvendi i ri. Palët diskutuan gjithashtu se si të ndërlidhen më mirë politikat e gjelbra dhe ato digjitale. Kjo është posaçërisht relevante në kontekstin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve, ku tranzicioni i gjelbër dhe digjital kanë

vend të dukshëm.

Në temën politikat audio-vizuale, Komisioni vuri në dukje se Kosova ende nuk i ka adresuar rekomandimet e Nën-komitetit dhe të Raportit vjetor për kalimin digjital dhe financimin e qëndrueshëm të transmetuesit publik. Palët ranë dakord se është e rëndësishme që Komisioni I Pavarur për Media të vazhdojë të jetë transparent dhe të respektojë rregullat për konsultimet publike gjatë hartimit të rregulloreve.

Në temën e punësimit, Komisioni vuri në dukje se sfidat strukturore në fushën e punësimit dhe politikat sociale (norma e papunësisë, popullsia që jeton nën kufirin e varfërisë) janë përkeqësuar më tej nga pandemia COVID-19 dhe duhet punë shtesë, përveç masave socio- ekonomike tashmë të ndërmarra, për t’i adresuar ato. Kosova shpjegoi se një punë e rëndësishme legjislative është në proces, domethënë projektligji i Punës, projektligji për Inspektoratin e Punës dhe projektligji për Këshillin Ekonomik dhe Social dhe Komisioni shpreson se ato do të miratohen së shpejti. Komisioni e çmoi vendimin për të integruar dispozitat e projektligjit për pushimin e lehonisë dhe atë prindëror në projektligjin e punës, I cili do të jep siguri juridike dhe do të sigurojë mbrojtjen e duhur për gratë që punojnë.

Komisioni inkurajoi autoritetet e Kosovës që t’i marrin parasysh implikimet e mundshme financiare kur propozojnë iniciativa të reja legjislative. Megjithatë, ai përsëriti se korniza legjislative në këtë fushë është kryesisht e vendosur dhe fokusi duhet të jetë në implementimin e legjislacionit ekzistues.

Në temën e arsimit, Komisioni vuri në dukje efektet e pandemisë COVID-19 dhe e përgëzoi Kosovën për organizimin e shpejtë të aktiviteteve arsimore praktikisht kur rrethanat nuk mundësonin që shkollat të mbesin të hapura. Sidoqoftë, KE shprehu shqetësim në lidhje me progresin shumë të ngadaltë në implementimin e konkluzioneve të mëparshme të nën-komitetit. Komisioni shprehu keqardhje për përpjekjet e pamjaftueshme nga Ministria për t’u përgatitur për aplikacionin nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për ri-anëtarësim në organet evropiane të sigurimit të cilësisë. Vetë Agjencia po i menaxhon mirë proceset e akreditimit, madje virtualisht. Komisioni gjithashtu shprehu keqardhje për dorëheqjen e fundit të pesë anëtarëve të bordit të Agjencisë dhe kujtoi që anëtarët e ri duhet të zgjidhen urgjentisht dhe përmes një procesi transparent dhe meritor.

Në temën mbrojtja e trashëgimisë kulturore, Komisioni theksoi që Kosova duhet të sigurojë zotim të vazhdueshëm ndaj Këshillit për Implementim dhe Monitorim dhe punës së tij, dhe duhet ta finalizojë Ligjin e vonuar për Trashëgiminë Kulturore.

Në temën kërkimi dhe inovacioni, Komisioni vëzhgoi progresin në aspektet që lidhen me Fushën Evropiane të Kërkimit, me integrim më të mirë të politikave të fragmentuara më parë, krijimin e një fondi kombëtar për kërkime, një pjesëmarrje shumë të mirë në Horizon 2020 për vitin 2019, dhe një pjesëmarrje aktive në Bashkëpunimin Evropian në Shkencë dhe Teknologji. Sidoqoftë, ai vuri në dukje se shumë aspekte të Fushën Evropiane të Kërkimit nuk janë adresuar sa duhet për shkak të ekosistemit të dobët kombëtar të shkencës dhe inovacionit, dështimit në shpërndarjen e fondeve për financime të kërkimit dhe se imazhi i shkencës në shoqëri është i lidhur me universitetet që nuk demonstrojnë ndikim të dukshëm në shoqëri.

Kosova do të lidhet plotësisht me ‘Horizon Europe’ për herë të parë dhe ky është një hap I rëndësishëm. Komisioni e përgëzoi Kosovën për anëtarësimin në rrjetin GEANT, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

 

Informatë e përgjithshme

 MSA është korniza në të cilën BE dhe Kosova diskutojnë rregullisht për çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me reformat e lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e SA, të asistuar nga Komiteti i SA, si dhe nën-komitetet e MSA, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të BE-së acquis. Takimet e organeve të MSA japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian dhe vlerësimin e Programit të Reformës Ekonomike.

 Çdo takim i nën-komitetit e monitoron dhe shoqëron realizimin e reformave nga Kosova dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në këtë proces.

 Janë shtatë fusha që mbulohen përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Konsumatori dhe Mbrojtja e Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Siguria e Ushqimit; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimi i Klimës dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.

 Dy fusha tjera të përfshira në takimet e grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi.

 Takimet e Komitetit SA dhe Nën-Komitetit për MSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në konkluzione të dakorduara bashkërisht që do të implementohen nga autoritetet e Kosovës.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM