Filharmonia e Kosovës me platformën e saj vjetore “Skena Juvenis” ku promovohen aktorë të rinj të skenës muzikore formale, realizoi me shume sukses nje koncert në formacionin harkor të mbeshtetur nga koncert-mjeshtri i njohur i Filharmonisë, Visar Kuçi.
Në sallën e mbuluar në të kaltër, për të shënuar kështu Ditën Botërore të Autizmit, u realizua një program që mbulon periudhën barokiene dhe moderne të mesit të shekullit XX me dy vepra shumë të njohura dhe të rëndësishme të repertorit për formacion harkor, A.Vivaldi – 4 Stinët dhe B.Bartok – Valle Rumune.
Koncerti paraqet vazhdimësinë e fryteve profesionale në profilin e performuesve të muzikës klasike me brezin më të ri të harkorëve në vend.
Solistët e rinj, Rron Bakalli, Pleurat Doli dhe Drenusha Lota, si pjesë e violinisteve të brezit të ri, janë pjesëtarë aktivë të valës së tretë të ekosistemit muzikor pas vitit 1999 – studentë të profesoreshës dhe violinistes së nderuar, Sihana Badivuku.
Filharmonia si shtëpi e të gjithë instrumentistëve profesionistë kosovarë në këtë koncert nxori në pah 3 instrumentistë që kontributin e tyre në kryeqytet e sjellin nga një bazament i fuqishëm që rrënjët i ka në shkollën e shkëlqyer të muzikës në Gjakovë @Prenk Jakova, në një nga qytetet kontributdhënëse për edukimin e shumë brezave të muzikantëve profesionistë.
Koncertet e tilla pasqyrojnë kapacitetin e Filharmonisë për të mëvetësuar dhe integruar në një ngjarje kulturore veçoritë dhe pasuritë e larmishme të kulturës sonë muzikore.
Filharmonia e Kosovës, si një ndër institucionet më të rëndësishme të muzikës në Kosovë, si katalizator i zhvllimit të kulturës muzikore, si agregator historik i aktorëve muzikorë nga të gjitha profilet muzikore në Kosovë, zë vend të rëndësishëm në ekosistemin muzikor në Kosovë dhe është forcë e veçantë e rezistencës kulturore që nga fillet e saja të mesit të shekullit XX.
Filharmonia është urë lidhëse mes strukturave rajonale dhe ndërkombëtare të muzikës klasike, e cila në nivel të diplomacisë muzikore ka promovuar aktivisht ngritjen profesionale të kulturës muzikore në Kosovë për më shumë se 45 vite, thuhet në komunikatën për media e MKRS-së.