Shtatori si muaj, për të rinjtë vullnetarë kaçanikas zakonisht është i stërmbushur me aktivitete për të shënuar “Javën e Rinisë” më 13 deri më 19 shtator, javë kjo që përmbyllet me shënimin e “Ditës së Rinisë” në komunën e Kaçanikut.
Gjatë kësaj jave të të rinjtë e kësaj komune kanë mundësi të jenë pjesë e aktiviteteve të shumta që zhvillohen për grupet e ndryshme shoqërore. Por ndryshe nga vitet tjera, ky shtator ishte me më pak aktivitete kulturore se zakonisht, si pasojë e anulimit të të gjitha veprimtarive kulturore, sportive e jo vetëm për shkak të pandemisë.
Përhapja dhe ballafaqimi me pandeminë ndikoi në ndryshimin e mënyrës së jetesës dhe ndryshimin e agjendave.
Këtë ndryshim e ka ndier edhe nënkryetari i KVRL-së (Këshillit te Veprimit Rinor Lokal ) në Kaçanik, Lulzim Bela. Ai tregon se këtë vit për shkak të pandemisë nuk ka pasur shumë aktivitete të mbajtura fizikisht në hapësirat e qytetit, por janë mbajtur disa virtualisht, ndërsa nuk kanë arritur ta realizojnë as planin e tyre vjetor.
“Siç i ka ndaluar të gjitha organizatat të realizojnë planin e tyre vjetor, edhe ne e kemi pasur të njëjtin problem dhe është dashur që ta ndryshojmë planifikimin tonë vjetor. (Pandemia) Na ka penalizuar shumë”, thotë Bela.
Ai gjithashtu vëren edhe mungesën e gatishmërisë së të rinjëve të Kaçanikut për të kryer punë vullnetare, pasi sipas tij në shumë aktivitete nuk arrihet numri i pjesëmarrësve të synuar, derisa edhe pademia ka pasur efektin e vet.
“Puna vullnetare është rrezikuar mjaft shumë, por gjithsesi nuk kanë munguar angazhimet tona”, tregon ai.
Bela tregon se mungesa e aktiviteteve gjatë këtij viti ka pasuar edhe me mungesën e trajnimeve për edukimin medial. Ai kujton se vetëm Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka mbajtur një trajnim në këtë fushë, ndërsa shtron nevojën për përkrahje më të madhe nga mediet lokale.
“Nuk është e mjaftueshme që informimi për aktivitete të bëhet vetëm nga rrjetet sociale të organizatës tonë, por duhet që edhe disa portale lokale të cilat funksionojnë gjithashtu përmes rrjeteve sociale të kenë bashkëpunim me organizatat të cilat janë aktive në mënyrë që të gjithë të rinjtë e komunës tonë të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e aktiviteteve tona,” u shpreh ai.
Edhe vullnetari, Shpat Bulica thotë se mediat lokale nuk po bëjnë mjaftueshëm për përkrahjen dhe promovimin e aktiviteteve nga organizatat lokale.
“Përveç mediave rajonale, as ato lokale nuk bëjnë mjaftueshëm punë në informimin e të rinjëve për aktivitete dhe as për promovim të ndonjë aktiviteti apo projekti të organizatave lokale“, thotë ai.
Edukimi medial është aftësia e individit për të kuptuar, analizuar e vlerësuar një përmbajtje mediale.
Sipas “Common sense media”, organizatë jo-fitimprurëse, edukimi medial ndihmon në të menduarit në mënyrë kritike, në identifikimin e informacioneve nga burime kredibile, në identifikimin e rolit të medias në shoqëri.
Kaltrina Hoxha, zyrtare e Programit Kombëtar për Edukim Medial në OSBE, mungesën e edukimit medial e konsideron si sfidë të theksuar në Kosovë dhe jo vetëm. E kjo, sipas saj mund të vërehet në shëtitjet nëpër rrjete sociale ku vërehet mungesa e mendimit kritik dhe ndërveprimit me mediet.
“Nevojitet angazhim i veçantë që të mbjellen thellë kurreshtja dhe mendimi kritik ashtu që secili të jetë në gjendje ta gjykojë qëllimin, rëndësinë, vërtetësinë dhe objektivitetin e informatës së pranuar nga mediat”, thotë Hoxha.
Ajo duke iu referuar disa statistikave të Eurostat, sipas së cilave 93% e banorëve të Kosovës kanë qasje në internet, thekson se edukimi medial është kyç për formimin e një rinie të aftë që di të dallojë lajmet e vërteta nga ato të rreme, nga keqinformimi, senzacioni e propaganda.
Siç tregon edhe një artikull i Qendrës Kanadaze për Edukim Medial dhe Digjital, edukimi mbi media mund t’i ndihmojë të rinjtë të kuptojnë se si portretizimet e mediave mund të ndryshojnë qasjen tonë ndaj grupeve të ndryshme në shoqëri, mund të ndihmojë në rritjen personale dhe zhvilimin shoqëror të të rinjëve duke zbuluar lidhjet midis kulturave të ndryshme, muzikës, modës, televizionit, filmave dhe reklamimit, e aq më tepër edukimi medial i mëson ata të bëjnë dallimin midis realitetit dhe fantazisë, pasi krahasojnë dhunën në media dhe atë në jetën reale dhe heronjtë e mediave dhe ata të jetës reale.
Sipas këtij artikulli, edukimi medial është procesi përmes së cilit individët aftësohen të kuptojnë në mënyrë kritike natyrën, teknikat dhe ndikimet e mesazheve dhe prodhimeve mediatike. Si i tillë ky lloj edukimi i inkurajon të rinjtë të pyesin, vlerësojnë, kuptojnë dhe të vlerësojnë kulturën e tyre mutimediale, duke i bërë ata përdorues aktiv të mediave.
Lidhur me këtë zyrtarja Hoxha tregon se misioni i OSBE-së po vepron në disa nivele për të promovuar rëndësinë e edukimit medial.
“Përmes ligjeratave në shkolla fillore dhe të mesme në tërë Kosovën synojmë nxitjen e kurreshtjes dhe mendimit kritik si dhe aftësimin e nxënësve në ballafaqim me lajme të rreme. Misioni gjithashtu ka bashkëpunuar me festivalin e filmit DokuFest në organizimin e trajnimeve që pajisin mësuesit e shkollave të mesme me mjete të edukimit medial të cilat mund të përdoren në mësimet e tyre”, tregon ajo.
OSBE-ja së fundmi po përkrah realizimin e ciklit të emisioneve edukative Edumedia, që sipas Hoxhës ka për qëllim ngritjen e diskutimit për rolin dhe rëndësinë e edukimit medial, ndërsa është lansuar edhe një fushatë vetëdijësuese me video informuese që flasin për mundësitë e pafundme dhe kujdesin ndaj rreziqeve në të cilat mund ekspozohemi gjatë përdorimit të internetit.
Hoxha paralajmron se më 2021, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të lansojnë një fushatë tjetër që promovon aftësi kritike për t’i zbërthyer informatat dhe mesazhet mediale.
“Në nivelin universitar dhe në bashkëpunim me stafin akademik kemi përditësuar dhe plotësuar kurrikulën e Edukimit Medial që ligjërohet në Degën e Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës”, përfundon ajo.
Dielleza Kabashi
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.