Ndryshimi është me rëndësi në mënyrë që të arrijmë rezultatet e duhura dhe të pëlqyeshme. Kosova si vend relativisht i ri ende është duke mësuar se si ti menaxhojë sektorët me rëndësi në mënyrë që e ardhmja të jetë më e mirë se sa gjendja aktuale. Që një popull apo vend të ecë para i nevojitet një arsim i duhur e cilësor, në mënyrë që mësimet e pranuara nga ky proces ti fus në shërbim për rritjen e rezultateve dhe të mirën e përbashkët.
Sektori i arsimit edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet njëra nga sferat më të kritikuara, më të papërmirësuara, e nisja e iniciativave në këto dy fusha e bën arsimin si njërën nga fushat më të ndjeshme për momentin.
Vështirësitë me të cilat përballet arsimi në Kosovë janë të ndryshme. Duke filluar nga mungesa e infrastrukturës, tekstet e vjetra dhe të pa-përditësuara mësimore, mungesa e literaturës së duhur për planprogramet e reja, mungesa e buxhetit pët trajnimin e mësimdhënësve, mungesa e laboratorëve si dhe mungesa e mekanizmave për rregullim cilësie, pjesë kjo në të cilën është punuar shumë pak.
Më pas një tregues real i gjendjes së arsimit në Kosovë mbetet të jetë edhe vlerësimi i vendit tonë nga testi PISA, i cili na rradhit si njërin nga shtetet më të pazhvilluara në këtë sektor. Testi PISA apo Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Studentëve, i cili realizohet nga Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, ka për qëllim matjen e aftësisë së nxënësve 15 vjeçar, për ti përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre të leximit, matematikës dhe shkencës për të përmbushur sfidat e jetës reale.
Ky test në vitin 2018, Kosovën e rradhit në pozitat e fundit, dhe shifrat që ipen janë shumë poshtë nga ajo se çfarë ky test njeh si mesatare minimale.
Një ndër sfidat kryesore me të cilën përballet arsimi në Kosovë është zvogëlimi i numrit të nxënësëve sidomos në zonat rurale të disa vendeve të Kosovës.
Në raportin e fundit për reformën në Komunën e Kamenicës thuhet se, nëse bëhet një krahasim statisktikash me vitet 2011/2012 sot Kosova ka më pak 55 mijë nxënës që vijojnë arsimin fillor dhe atë të mesëm të ulët.
“Komuna e Kamenicës, është njëra nga ato komuna nga e cila vetëm nëse bëhet një krahasim mes vitit 2011 dhe 2019 ka 40 përqind nxënës më pak. Kjo rënie drastike e numrit të nxënësve vie si pasojë e emigrimit si dhe rënies së natalitetit.”- vijon raporti.
Ndër ndryshimet më të mëdha që dalin nga Korniza Kurrikulare e Kosovës është përdorimi i metodave bashkëkohore në mësimdhënie dhe braktisja e ligjërimit si formë e tejkaluar. Shumë nga këto metoda bashkëkohore nuk mund të implementohen nëse numri i nxënësve në klasë është shumë i ulët si në rastin e komunës së Kamenicës. Për shembull, puna në grupe është një metodë e suksesshme, mirëpo në mënyrë që të zbatohet mirëfilli, numri i nxënësve në klasë duhet të jetë mbi 15. Shumë studime kanë nxjerrë përfundime se numri ideal për një klasë është përafërsisht 20 nxënës/e për klasë.
Për më tepër, sipas standardit evropian të projektimit, një objekt shkollor parashihet për 600 deri në 850 nxënës, ndërsa raporti adekuat mësimdhënës-nxënës duhet të jetë 1:21. Numri shumë i vogël i nxënësve në klasë pamundëson ndërveprime të nevojshme të cilat ndikojnë në zhvillimin e shkathësive të ndryshme tek nxënësit.
Sipas raportit aspekti i socializimit të nxënësve pamundësohet kur numri i nxënësve është shumë i vogël. Numri i vogël i nxënësve pamundëson socializimin si aspekt tejet i rëndësishëm për zhvillimin e shëndetshëm të një fëmije.
“Kultivimi i talentit, mendimit kritik dhe shprehive mundësohet kur arrihet një standard i caktuar brenda dhe jashtë klasës. Prandaj nevojiten hapësira e duhura shkollore për ta arritur këtë standard.”– thuhet në raport.
Kjo komunë e ka parë të arsyeshme nisjen e një reforme në arsim e cila kryesisht ndalet në këto qëllime: Krijimi i një strukture organizative të shkollave me nxënësin në qendër, investimi strategjik dhe efikas në infrastrukturë bashkëkohore shkollore, si dhe shfrytëzimi sa më efikas i ambienteve shkollore që të iu shërbejë të gjithë komunitetit.
“Komuna e Kamenicës vlerëson se është i pashmangshëm intervenimi në këtë kohë, prandaj pas analizimit të aspekteve të gërshetuara mbi gjendjen në arsim është angazhuar që të ndërmarrë hapa për një riorganizim të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, me qëllim rritjen e cilësisë në arsim.”– tha shefi i kabinetit të kryetarit Meriton Ramabaja gjatë një interviste për KosovaLive.
Megjithëse me hapa të ngadalshëm por të sigurt, të cilësuar kështu nga zyrtarët e angazhuar, reforma kishte filluar në vitin 2019. Ajo se çfarë njihej si reformë u sinonizua me mbyllje shkollash. Gjë kjo që solli kundështime të njëpasnjëshme nga të gjithë akterët e përfshirë. Për dy vite rradhazi 20 përqind e nxënësve ose përkthyer në shifra 441 nxënës, kanë mbetur jashta procesit mësimor, si pasojë e inateve të vazhdueshme të pushtetit lokal e banorëve.
Ramabaja sqaron se përbrenda fushës së edukimit, reformat janë pashmangshëm njëra ndër temat më komplekse dhe kontraversiale. Është normale që jo të gjithë të pajtohen me reformën qysh në fillim dhe jo të gjithë të kuptojnë përfitimet dhe sukseset që vijnë bashkë me të.
“Në disa lokalitete të Komunës së Kamenicës, njerëzit kanë krijuar lidhje të forta emocionale me shkollat dhe historikun e tyre, gjë që e bën më të vështirë gjykimin objektiv ndaj veprimeve të reformimit.”- shton Ramabaja.
Ata që po e pësonin më së shumti në njërën anë ishin nxënësit, sepse po qëndronin jashta një procesi kaq krucial. Por përgjatë kësaj periudhe sipas kryetarit Qëndron Kastrati në një postim të tijin në llogarinë zyrtare në Facebook thuhet se përgjatë punës se mekanizmave të angazhuar në terren janë zbulur një numër i konsiderueshëm rastesh të abuzimeve seksuale ndaj nxënësve.
Një numër i nxënësve me nevoja të veçanta fizike nuk kanë ndjekur fare procesin mësimor, si pasojë e një infrastrukture pamundësisht të qasshme për ta si dhe mungesës së vullnetit. Më pas stafi i angazhuar në kuadër të kësaj reforme ka trajtuar 109 fëmijë të cilët kanë nevojë për mbështetje. Si pasojë e mungesës së logopedëve nëpër shkolla, prindërit e nxënësve kanë paguar në mënyrë vetanake trajtimin e fëmijëve të tyre, dhe e njejta gjë ka ndodhur edhe si pasojë e mungesës së psikologëve nëpër shkolla.
Kjo reformë në arsim normalisht që ka pasur edhe ekspertë dhe mekanizma të angazhuar pas vetes.
“Në grupin e njerëzve që punojnë për riorganizimin e shkollave ka edhe pedagoge e psikologe të cilët kanë integruar njohuritë e tyre, pritshmëritë, reagimin dhe ndikimin qe reforma do të ketë te fëmijët. Përtej grupit, janë mbajtur takime të shumta edhe me psikologe e pedagoge të jashtëm dhe profesionist të fushës së arsimit. Gjithashtu janë mbajtur takime me komunitetin.”- sqaron shefi i kabinetit Ramabaja.
Psikologu Fitim Bucolli, i angazhuar në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Kombit” në Kamenicë, ka thënë se ndryshimi i ambientit e rrethit shoqëror siç edhe ka ndodhur me disa nga nxënësit e kësaj komune, kuptohet se mund të ketë pasoja negative por ato pasoja janë afatshkurtëra pasi arrihet adaptimi i nxënësve me rrethin e ri shkollor e shoqëror.
“Përceptimin për shkollën fëmija e merr që në moshë të re, dhe di të dallojë nëse një ambient shkollor është i mirë apo jo” – tha Bucolli.
Bucolli po ashtu shtoi se, përderisa një nxënës është mësuar me një grup të vogël nxënësish, normalisht që përceptimi i tij do të ndryshojë nëse has në një ambient të ri e grup më të madh shoqëror. Gjithashtu ndryshimi i ambientit shkollor mund të rrit inferioritetin tek fëmijët sepse ata janë mësuar me një grup më të vogël nxënësish, dhe në momentin që gjenden në një grup më të madh ata mund të stepen dhe mund të bëhen edhe më të tërhequr, por kjo mund të shihet edhe si mundësi që të tregojnë veten dhe kapacitetet e tyre para të tjerëve duke e parë konkurrencën, por në fund të ditës gjithqka varet nga tipi i personalitetit të fëmijës.
Frekuentimi i një ambienti të njëjtë shoqëror mund të ndikojë në shumë mënyra tek një fëmijë, duke u nisur nga mënyra e pjekjes dhe orientimit të tij përgjatë kohës së adoleshencës, dhe po ashtu qëndrimi i gjatë në një ambient të vogël me mundësi të vogla shprehjeje mund të ndikojë edhe tek temperamenti i fëmijës.
Disa nga rastet që psikologu Bucolli ka arritur të trajtojë tek fëmijët e ardhur tek shkolla nikoqire në të cilën është i angazhuar janë: fëmijë hiperaktiv, fëmijë me vështirësi në të nxënë (disleksi, diskalkuli, dislali, belbëzim), fëmijë me mutizëm selektiv, fëmijë me sjellje devijante etj.
Në kuadër të kësaj reforme komuna ka angazhuar nëpër shkolla edhe logopedë. Luiza Beqiraj e cila aktualisht po punon me nxënës si logopede ka thënë se rëndësia e angazhimit të logopedëve nëpër shkolla është e një rëndësie të veçantë, sepse sa më herët që bëhet identifikimi i problemeve aq më shpejtë arrihet trajtimi dhe kjo ndikon në arritjet e fëmijëve.
“Raste kemi mjaftueshëm, momentalisht në komunën e Kamenicës janë identifikuar 63 raste të fëmijëve që kanë nevojë për logopedë, shifër kjo që po ndryshon dita-ditës. Trajtimet janë duke vazhduar sepse llojet e çrregullimeve që kemi identifikuar kërkojnë kohë për përmirësim.”– shton Beqiraj.
Beqiraj tha se rastet më të shpeshta të cilat po trajton janë: belbëzimi, qrregullime të tingujve, çrregullime të artikulimit dhe vështirësi në lexim dhe shkrim.
Akteri më i prekur nga kjo reformë normalisht që janë nxënësit. Diellza Rexhepaj është nxënëse e klasës së nënëtë në shkollën “Avdullah Krashnica-Presheva” në fshatin Koretin të komunës së Kamenicës. Sipas planit të reformës Diellza do të duhej të ndiqte mësimet në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë.
“Ideja që do të ndërroja shkollën nuk më pëlqente sepse isha mësuar me ambientin dhe rrethin shoqëor në shkollën time dhe shkollën e kam shumë afër. Por, mendoj se ndërimi i shoqërisë dhe shkollës ndoshat do të ndikonte që ne të mësonim më shumë sepse do të kishte më shumë konkurrencë dhe do të njihnim edhe nxënës të rinj”- tha Diellza.
Blerim Shabani, prind nga komuna e Kamenicës, ka kundërshtuar nga fillimi idenë e reformës në arsim. Ai ka thënë se neve si prindër nuk na është sqaruar, apo thënë më mirë shqetësimet e prindërve nuk janë konsideruar.
“E kemi trajtuar si ide ashtu siç edhe na është ofruar, ne si prindër kemi pasur rezervat tona por ato kurr nuk janë marrë parasysh.’’ tha Shabani
Mësuesja Emine Mavriqi, e cila punon në shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Kombit” në Kamenicë ka thënë se ka pasur dhe ka ende në klasën e saj nxënës të ardhur nga shkollat e fshatrave si pasojë e reformës. Ajo ka treguar se që nga fillimi e ka ndjekur me kujdes të shtuar mënyrën se si ata janë angazhuar në klasë dhe ka thënë se kanë vazhduar të jenë nxënës me sukses të dalluar siç edhe kanë qenë në shkollat paraprake.
“Nuk mund të vëresh asnjë dallim mes nxënësve të shkollës këtu dhe atyre që janë transferuar nga lokalitetet e tjera. Vlen të theksohet që këtë vit një nxënës që kam në klasën e parë shpeshherë duket më i lodhur dhe jam munduar ta kuptoj shkaktarin, dhe mendoj që për shkak të distancës së transportit i bie të zgjohet më herët dhe ka raste kur pagjumësia i shkakton lodhje”- tha Mavriqi.
Pas humbjes së më shumë se dy vite mësim për nxënësit niveli qëndror ka marrë vendimin që nxënësit që kanë humbur mësimin ti nënshtrohen një procesi mësimor të përshpejtuar. Mësimi ka filluar nga data 5 maj, por sa do të jenë në gjendje që fëmijët të i’u kthehen në mënyrë normale bankave shkollore varet e gjitha nga mënyra e planifikimit dhe dakordimit të palëve se fëmijët janë me rëndësi në këtë mes, dhe jo interesat politike.
Sipas psikologut Bucolli, sa më shumë kohë që fëmijët qëndrojnë larg bankave shkollore, ata janë në gjendje që të zhvillojnë aftësi që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre dhe mund të zbehin cilësitë që do të duhej ti zhvillonin përkrah bashkëmoshatarëve të tyre.
I pyetur për vazhdimësinë e reformes, shefi i kabinetit tha se Komuna e Kamenicës është duke zbatuar ligjin dhe është duke iu përgjigjur të gjitha udhëzimeve administrative.
Kurse sa i përket vazhdimit trajtimit të rasteve të fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje Ramabaja ka thënë se ai është edhe qëllimi i angazhimit të logopedëve e psikologëve profesionistë.
Lidiona Marovca
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.
Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.