Build Skills with our trainings

Sign up now!

Hapa inkurajues drejt përfaqësimit të barabartë gjinor

Qer 10, 2021

Kosova si vend në përgjithësi po punon shumë që të arrijë standardet kryesore që janë baza e një shoqërie me të drejta të barabarta gjinore. Por këto standarde ende në Kosovë duken si të paarritshme, gjë që i bën të pazgjidhshme edhe problemet nga të cilat përcillen. Ndërrimi i mendësisë patriarkale do kohë të ndryshojë, njëjtë sikurse do edhe kalimi i hendekut të mendimit se gratë nuk kanë nevojë të jenë pjesëmarrëse në gjithçka dhe të jenë ‘të mbipërfaqësuara’ në sfera të ndryshme të shoqërisë dhe jetës në përgjithësi.

Konventa e eliminimit të çdo forme të diskriminimit ndaj grave e Kombeve të Bashkuara thotë se siguron bazën për të realizuar barazinë midis grave dhe burrave përmes sigurimit të aksesit të barabartë të grave dhe mundësive të barabarta në jetën politike dhe publike – përfshirë të drejtën për të votuar dhe për të kandiduar për zgjedhje.

Secila pikë në këtë konventë përkon me ligjet kryesore për barazi gjinore në Kushtetutën e vendit tonë.

Ligji nr. 03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës në nenin 27, sa i përket çështjes së kuotave gjinore thotë:

“27.1 Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30 %) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30 %) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë.’’

Të njëjtën përqindje si kusht për përmbushje e parasheh edhe Ligji për Zgjedhje të nivelit lokal.

Në mënyrë që të kemi një shoqëri moderne, duhet të përmbushet e realizohet edhe pjesa e udhëheqjes së barabartë. Në Kosovë të githa komunat, 38 sa janë gjithsej udhëhiqen nga burrat. Ka pak raste, kur ka pasur edhe kandidate për këtë post nga parti të ndryshme politike.

Normalisht që secili dikaster në çdo nivel lokal, ka edhe udhëheqësin e tij. Në Kosovë nëse mirret një numër i përgjithshëm i drejtorive, nga 352 sa janë gjithsej, vetëm 85 drejtori udhëhiqen nga gratë.

Arritja e barazisë gjinore duke filluar nga niveli lokal e duke shkuar tek ai qëndror, është njëri nga parakushtet kryesore për një të ardhme më të mirë e më demokratike.

Sipas Ligjit për Barazi Gjinore thuhet se vendimet që mirren nga organet e qeverisjes së secilit nivel lokal, para miratimit duhet të shqyrtohen edhe në aspektin e barazisë gjinore.

4.14. Organet e qeverisjes lokale, në pajtim me kompetencat e tyre, promovojnë dhe krijojnë mundësi të barabarta, hartojnë politikat e tyre duke u bazuar në barazinë gjinore dhe miratojnë masa dhe ndërmarrin aktivitete të nevojshme për krijimin e mundësive të barabarta për femra dhe meshkuj.

Sipas analizës gjinore të Kosovës, të realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës në përgjithësi, kuadri ligjor dhe politik në Kosovë parasheh barazinë gjinore, duke përfshirë të drejtat e barabarta për gratë dhe burrat. Sidoqoftë, prapë mbeten sfida në zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi.

Sipas një hulumtimi të bërë nga INDEP – “Gratë në vendimmarrje në institucionet publike në Kosovë”, për nivelin lokal thuhet se në vitin 2018 ishin gjithsej 829 të punësuar në shërbimin civil, nga të cilët 20% gra. Krahasuar me vitin 2017, një rritje prej 1% është pasqyruar në paraqitjen e grave në pozitat vendimmarrëse në administratën komunale të komunave të Kosovës.

“Në pozitat e larta vendimmarrëse me drejtoritë komunale, përfaqësimi i grave është rritur gjatë viteve. Në vitin 2017 ishte 18.54%. Në vitin 2018, nga 364 drejtorë në zyrat komunale, gratë përbëjnë 72 ose 19.83% . Një rritje e lehtë në përfaqësimin e grave mund të raportohet edhe në fillim të këtij viti, me 20.6%.” vijon hulumtimi.

Sipas hulumtimit janë tre komuna të Kosovës që dallohen si histori suksesi për barazinë e grave në pozita të larta vendimmarrëse. Komunat e Kllokotit, Kamenicës dhe Gllogocit kanë krijuar drejtori të barabarta gjinore.

Zyrtarë nga komuna e Kamenicës në një përgjigjje me shkrim kanë thënë se nuk ka një kuotë gjinore që definon pjesëmarrjen gjinore në nivelin lokal.

“Nuk është e nevojshme të ketë detyrimisht një ligj i cili e obligon punësimin me kritere të barabarta. Të drejtat për t’u punësuar duhet të jenë të barabarta për secilin prej kandidatëve. Si qeverisje, gjithmonë kemi tentuar të mbështesim kategoritë e margjinalizuara.”

Në komunën e Kamenicës, më saktësisht në administratën e saj, janë të punësuar gjithsej 248 zyrtarë, e prej tyre 62 janë gra. Pra, gratë në administratën komunale përfaqësohen me 25 për qind.

“Përderisa, nëse i marrim për bazë punësimet në administratën komunale vetëm në këtë qeverisje kemi një pjesëmarrje të grave 35,48%. (20 burra, 11 gra).” thuhet në përgjigjen me shkrim.

Sipas komunës së Kamenicës, stafi shëndetësor i punësuar në periudhën e qeverisjes aktuale, është i përbërë 63.64% gra dhe 36.36% burra.

“Në përgjithësi, pra, në administratë, shëndetësi dhe arsim prej të punësuarve gjatë kësaj qeverisje rreth 57.62% janë gra.”, pohojnë nga komuna.

Komuna e Kamenicës edhe në aspektin e udhëheqjes së drejtorive duket se ka bërë një përparim.

Nga gjithsej 11 drejtori, gjashtë prej tyre udhëhiqen nga gratë, ndërsa pesë të tjera nga burrat.

Majlinda Krasniqi, drejtoreshë e Sektorit të Zhvillimit Ekonomik, thotë se pozita e saj duke u nisur nga gjendja aktuale, është më shumë përgjegjësi se sa privilegj, për dallim nga ajo që mendohet në përgjithësi.

“Komuna jonë i kushton rëndësi të madhe, përfaqësimit të barabartë. Mirëpo jo vetëm për postin e udhëheqësit të një drejtorie, barazisë gjinore i kushtohet rëndësi në të gjitha digasteret, aty ku ekziston mundësia,” thotë Krasniqi.

Një organ tjetër me rëndësi në çdo udhëheqje komunale është edhe kuvendi komunal.

Sipas Drenusha Fetiut, e cila është asambleiste, përmbushja e kuotës gjinore edhe në këtë organ është e një rëndësie të madhe, dhe është diqka që duhet të arrihet në qdo udhëheqje.

“Për momentin, ka përfaqësim të mjaftueshëm nga gratë në asamblenë komunale të Kamenicës,” thotë Fetiu.

Për Besa Hoxha-Krasniqi, po ashtu asambleiste, është krejt e kundërta. Ajo thotë se nuk ka përfaqësim të mjaftueshëm të grave në asamble. Ajo po ashtu shprehet se ka një hapësirë shumë të paktë për tu promovuar gratë politikane në nivelin lokal.

“Kemi ende shumë punë për të bërë, për të arritur një pozitë të dëshirueshme si përfaqësuese gra,” thotë Hoxha-Krasniqi.

Azemine Maliqi, e cila është e angazhuar në kuadër të Grupit të Grave në nivel lokal thotë se ka ende shumë sfida që duhet kapërcyer për të arritur në një përfaqësim të barabartë, dhe krejt kjo arrihet atëherë kur gruaja ka pozitë të barabartë e pa paragjykime në udhëheqje.

“Në Komunën e Kamenicës përfaqësimi i gruas është i kënaqshëm, si në pozita politike, ashtu edhe në administratën komunale, domethënë  numër i komsiderueshëm  udhëheqin drejtori e  sektorë të ndryshëm,” tha Maliqi.

Ajo po ashtu shton se Grupi i Grave në nivel lokal, është aktiv më shumë se një dekadë, gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe udhëheqje.

Duke marrë parasysh që ligji që përcakton pjesëmarrje të barabartë në jetën publike, politike e shoqërore është mjaftë i konsoliduar, sfidë mbetet trajtimi serioz dhe respektimi i tij nga të gjitha nivelet.

Lidiona Marovca

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

“C*kli m*nstrual”

“C*kli m*nstrual”

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës...

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM