Build Skills with our trainings

Sign up now!

Riaktualizohet ideja për muzeun e Kamenicës

Qer 16, 2021

Komuna e Kamenicës është gati në finalizimin e projektit për muzeun e qytetit.

Nëpërmjet një postimi të tij në llogarinë zyrtare në Facebook, kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë se, ky projekt së pari do të zë vend në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati”. Ai këtij postimi i ka bashkangjitur edhe videon në të cilin shihet edhe objekti i ideuar, që do të ketë hapësirat vetëm për artefaktet që do të shkojnë në kuadër të muzeut.

“Komuna jonë shquhet me vlera të shumta të trashëgimisë kulturore, dhe përveç artefakteve që ne i ruajmë, ky muze do të pasurohet me më shumë material arkeologjik të gjetur në lokalitete të ndryshme të komunës sonë, dhe për këtë jemi afër formalizimit të një memorandum bashkëpunimi me Institutin Arkeologjik të Kosovës,” ka thënë ai.

Zyrtari i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë, Petrit Matoshi ka thënë se duhet ditur se Komuna e Kamenicës është e pasur me lokalitete të shumta arkeologjike, dhe viteve të fundit ka pasur gjetje të ndryshme të artefakteve, qoftë nëpërmjet gërmimeve arkeologjike të kryera nga Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK), apo gjetje të rastësishme nga qytetarët gjatë punimeve të tyre në nisje shtëpish, apo punimeve në ara.

“Ideja për themelimin e një muzeu të qytetit në Kamenicë vie si rezultat i rrethanave të krijuara ndër vite,” tha Matoshi në një intervistë për KosovaLive.

Ai shton po ashtu se duke qenë se Muzeu Kombëtar i Kosovës ekspozon eksponate nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës dhe nga periudha të ndryshme kohore, përfshirë eksponate nga lufta e fundit si dhe pas saj, shumica e materialit arkeologjik, në mungesë të hapësirës, ngelet e paekspozuar. Këto rrethana kanë bërë që ideja për themelimin e muzeut të riaktualizohet dhe të fuqizohet.

Pra, ideja është që materiali arkeologjik që vie nga territori i Komunës së Kamenicës, e që ndodhet i paekspozuar nëpër bodrumet e institucioneve të ndryshme, të sillet në një institucion të nivelit komunal, sic pritet të jetë muzeu i qytetit.

“Kuptohet se në të ardhmen, muzeu do të pasurohet edhe me gjetje të reja, apo me artefakte që mund t’i dhurojnë qytetarët,” shton ai.

Në bazë të Ligjit për Institucionet e Kulturës, komunat mund të themelojnë institucione të nivelit komunal, por edhe ky themelim kërkon një miratim nga Ministria e Kulturës, Rnisë dhe Sportit.

Matoshi ka shtuar se si drejtori, janë duke u angazhuar që të përgadisin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për ta dërguar në Kuvendin Komunal, i cili me anë të votave e themelon muzeun e qytetit, si dhe dokumente tjera të nevojshme për të marrë miratimin e ministrisë.

Matoshi thotë se ende nuk është vendosur për një emërtim, mirëpo kanë disa versione që po i shqyrtojnë, “mund të quhet thjeshtë ‘Muzeu i Qytetit’ apo ‘Muzeu Arkeologjik e Etnologjik i Kamenicës’ apo edhe ndryshe”.

“Gjithashtu asambleistët e Kuvendit Komunal mund të vijnë me propozimet e tyre, si për shembull të propozojnë që muzeu të marrë emrin e ndonjë personaliteti,” shton ai.

Por, duket sikur se komunës po i paraqet problem pjesa e mbulimit financiar të ndërtimit të objektit, sepse si thotë Matoshi është ndarë edhe parcela në të cilët është menduar që të ndërtohet objekti dhe po ashtu është hartuar edhe projekti.

 “Fillimisht ne kishim marrë një premtim nga ish-ministrja për mbështetje financiare, mirëpo më vonë ministrja ishte tërhequr,” sqaron Matoshi.

Aktualisht muzeu mendohet të zë një nga hapësirat e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati në Kamenicë.

“Si plan B, kemi menduar që muzeu të pozicionohet në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës ‘Isa Kastrati’, më saktësisht te ajo që njihet si ‘salla e vogël’ apo ‘ish salla e Kuvendit Komunal’”, vijon Matoshi.

Drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Mefail Sadiku ka thënë se ka mjaftueshëm hapësirë që të jetë edhe muzeu në kuadër të hapësirave të këtij institucioni.

“Pasi që të bëjmë rregullimin në hapësirën ku është menduar, ky objekt falë muzeut do të ketë edhe më shumë vizitorë,” tha Sadiku për KosovaLive.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, në komunën e Kamenicës, Arianit Ibrahimi thotë se kanë ndarë nga buxheti komunal 10 mijë euro për gërmime arkeologjike. Ai ka shtuar po ashtu se si komunë kanë angazhuar një kuvend në raport me trashëgiminë, në bashkëpunim të ngushtë me CHWB (Cultural Heritage Without Borders), për të detektuar dhe punuar kryesisht në zonat e mbrojtura dhe gjysmë-të mbrojtura për hulumtime të mëtutjeshme.

Sa i përket fazës së punës në të cilën janë për muzeun, Ibrahimi ka thënë se po punohet që edhe votimi në kuvend dhe çdo procedurë tjetër të mbarojë në shtator të këtij viti.

“Në këtë muze do të ketë eksponate nga faza e paleolitit e deri te lufta e fundit në Kosovë,” shton ai.

Zyrtari Matoshi ka sqaruar se pas disa aktiviteteve që ata si DKRS kanë realizuar në fushën e trashëgimisë kulturore, kanë vërejtur një interesim të qytetarëve për të dhuruar eksponate nga koleksionet e tyre private për muzeun e qytetit apo thjeshtë për Shtëpinë e Kulturës.

Pra, ata duke parë se Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport më në fund po e mbulon dhe po e trajton fushën e trashëgimisë kulturore, po na besojnë eksponatet që kanë qenë pjesë e trashëgimisë së tyre familjare,” shton ai.

Gjithashtu kanë pranuar edhe kërkesa për të vizituar vende ku dyshohet se mund të ketë lokalitete arkeologjike, kërkesa për të futur nën mbrojtje objekte të vjetra, si shtëpi, mullinjë etj.

Drejtori Ibrahimi ka thënë se komuna ka punuar shumë përgjatë këtyre katër viteve, duke nisur nga ndërtimi i shtëpive muze të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, që do të njohin vizitorët me historinë në një formë tjetër përpos muzeut.

Ai po ashtu ka shtuar se është punuar edhe në pjesën e restaurimit të mullinjëve binjakë si dhe po punohet për t’u ndërtuar edhe bunkeri i Xhon Serraqit.

Një problem që është identifikuar në këtë komunë janë edhe gërmimet ilegale në lokalite, rast për të cilin është i shqetësuar zyrtari Matoshi.

“Një tjetër rast që vlen të përmendet është njoftimi që një qytetar na kishte bërë në lidhje gërmimet ilegale në një lokalitet, e ku si rezultat ne, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe IAK-në arritëm të shpëtojmë një pitos antik,” shton ai.

Por, ai thotë se falë mbështetjes dhe besimit që iu ipet nga qytetarët, ata do të vazhdojnë të punojnë dhe të angazhohen në këtë drejtim.

Lidiona Marovca

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM