Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, morri pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane që u mbajtë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane për Evropës dhe Afrikë në Wiesbaden të Gjermanisë.
Konferenca tre-ditore, e mbajtur nga data 15-17 qershor, u organizua nga shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali James C. McConville, mbështetur nga gjenerali komandues i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneral Christopher Cavoli.
Në këtë konferencë, përveç gjeneral Ramës, morën pjesë komandantë të lartë të forcave tokësore, oficerë dhe përfaqësues nga afërsisht 40 vende aleate evropiane dhe partnere të SHBA-së dhe Kanadasë. McConville filloi fjalët e tij të hapjes me një mesazh mirënjohje për vullnetin e dëshmuar për t’u takuar përsëri pasi ngjarja e vitit të kaluar u anulua për shkak të COVID-19.
Fokusi kryesor i konferencës së këtij viti ishte modernizimi i forcave në lidhje me perspektivat rajonale mbi forcat tokësore, ndërveprimin, gatishmërinë strategjike, ndërtimin e kapaciteteve, kërcënimet aktuale dhe ato në zhvillim e sipër.
Ndër të tjera gjeneral McConville tha se për të gjithë ne, modernizimi është mundësia më e madhe për forcat tona për t’u bashkuar në luftën për parandalimin e kërcënimeve aktuale.
Ndërsa, gjeneral Cavoli theksoi se, Ushtria e SHBA-së ka një program shumë ambicioz të modernizimit tani, sikur edhe shumë nga ushtritë aleate dhe partnere, prandaj nga pjesëmarrësit kërkoi diskutim përmbajtësor dhe të hapur për çështjet përkatëse.
Në diskutimin e tij, gjeneral Rama, njoftoi me të arriturat e deritashme të FSK-së si dhe objektivat për të ardhmen në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, duke shprehur gatishmërinë e plotë për ofrimin e tyre në misione të përbashkëta në të mirë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.