Build Skills with our trainings

Sign up now!

“C*kli m*nstrual”

Tet 6, 2021

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës nga tregu gjersa njëfarë ankthi të mbulon kokë e këmbë, se “të kanë ardhë”. Ndihesh më komod kur zyshja e biologjisë i përjashton djelmoshat nga klasa, orën kur mësoni për një proces krejtësisht të natyrshëm.

Cikli menstrual – makthi i femrës në një shoqëri patriarkale. Një luftë e përjetshme mes biologjisë e shoqërisë, e që ende vazhdon të cilësohet si temë tabu në Kosovë.

Këtë e konfirmon edhe organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, sipas të cilës cikli menstrual vazhdon të jetë një “mallkim” me të cilin është dënuar trupi i një femre.

“Kjo ngarkesë që e bartë cikli menstrual i grave, përveç që na tregon rrëfimet që dominojnë mbi trupin femëror, tregon edhe atë se pothuajse gjithmonë aspekteve biologjike të trupit femëror iu janë veshur mite të cilat shpesh e kanë demonizuar trupin e tyre, e kanë vendosur në pozitë inferiore karshi trupit mashkullor, duke e rrezikuar shpesh shëndetin e saj”, thotë në një përgjigje me shkrim për KosovaLive ky institucion. “Nëse veç e rikujtojmë, edhe në nivel ligjërimi, cikli menstrual ende nuk ka penetruar në gjuhën tonë, në cilëndo hapësirë.”

Këtij mendimi i bashkëngjitit edhe organizata për Këshillim, Shërbime Publike e Hulumtim – SIT.

“Cikli menstrual nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ende konsiderohet si ‘turp’ apo një temë e cila nuk duhet të përmendet përpara të tjerëve,” pohon për KosovaLive, SIT.

E gjithashtu edhe Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, QIKA.

 “Cikli menstrual vazhdon të jetë temë e mbyllur në Kosovë e më gjerë. Kjo për faktin se konsiderohet si diçka e turpshme dhe çështje private e grave e si rrjedhojë nuk diskutohet as brenda familjes e aq më pak në publik. Në anën tjetër, përveç stigmatizimit të menstruacioneve vajzat dhe gratë vuajnë nga varfëria menstruale – fenomen që nënkupton pamundësinë e qasjes në produkte menstruale”, shpjegon organizata QIKA.

Aktivistët nga ky institucion kanë organizuar një aksion muaj më parë, me synim shpërndarjen e pecetave higjenike në shkollat e komunave të Kosovës. E përkundër lejes së tyre nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë për ta bërë këtë, QIKA kanë bërë të ditur se gjatë realizimit të planeve të tyre kanë hasur në pengesa.

“Drejtori i shkollës “Sami Frashëri” nuk lejon realizimin e aksionit për shpërndarjen e pecetave menstruale falas. Arsyetim kishte masat kundër COVID-19”, shkruan QIKA në faqen e saj. “Ne themi se cikli menstrual nuk ndalet gjatë pandemisë!”

Pse kjo temë stigmatizohet aq shumë në shoqërinë tonë, organizatat e lartpërmendura  cekin mendësinë që cikli menstrual është turp të bisedohet në publik e se është çështje intimne, perceptimet se trupi i femrës është “cak turpi”, mungesa e qasjes në informacion dhe e kushtimit të vëmendjes nga institucionet shtetërore për normalizimin e kësaj teme.

“Arsyeja kryesore se pse cikli menstrual mbetet tabu lidhet me idenë e trupit femëror, i cili është cak turpi, krenarie e mbizotërimi e të cilit gjithmonë i janë veshur narrativa e mite nga më të ndryshmet. E e gjithë kjo mirëmbahet përderisa nevojat e karakteristat e atij trupi mbesin margjinave, të paartikuluara e për rrjedhojë edhe të pa-adresuara”, thonë aktivistët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Sipas këtij institucioni, edhe feja ndikon në perceptimet mbi ciklin menstrual.

“Feja gjithmonë ndikon në mënyrën se si përceptohet trupi femëror. Andaj, pashmangshmërisht e ndikon edhe ligjërimin (mungesën e ligjërimit) mbi ciklin menstrual”, thonë ato.

Sipas një artikulli në lidhje me trajtimin e ciklit menstrual në fenë islame – besimi më i përhapur në Kosovë – nga portali britanik, “Hidden Pearls”, gratë konsiderohen të papastra ritualisht, dhe si rrjedhojë nuk guxojnë të kryejnë ritualet fetare si agjerimi e falja.

“Na jepet një pushim nga agjërimi kur jemi të lodhur, kur vuajmë nga dhimbje të tmerrshme të shpinës dhe kemi ndryshime tepër të këqija të humorit që po i çmendin njerëzit përreth nesh”, shkruan ky portal.

Cikli menstrual trajtohet edhe nga fetë e tjera, si ajo krishtere, sipas të cilës personi i cili ka kontakt me femrën që po menstruon, konsiderohet të jetë i papastër deri në orët e mbrëmjes, shkruan në librin e shenjtë, Biblën. I papastër konsiderohet vendi ku ajo ulet dhe ku ajo shtrihet, shkruan aty.

“Parandalimet më anti-menstruale të krishterimit gjenden në Kishën Ortodokse Lindore, ku grave u ndalohet komunikimi i ndjenjave të tyre gjatë kësaj periudhe. Fraksionet më ekstreme të Kishës Ortodokse Ruse madje i detyrojnë gratë të jetojnë në ‘kasolle menstruale’ gjatë ciklit menstrual”, shkruar Thought Catalog në një artikull rreth kësaj teme.

Në këso kasolle, sipas Thought Catalog, detyrohen të jetojnë për shtatë ditë e netë edhe femrat e fesë hinduse, të cilat gjatë periudhës së menstruimit nuk guxojnë as të flejnë ditën, të lahen, të hyjnë në kuzhinë, të flasin me zë të lartë ose t’i prekin personat e tjerë.

Një kasollë menstruale në Nepal. Foto nga The Guardian.

Një kasollë menstruale në Nepal. Foto nga The Guardian.

 

Pos përballjes me stigmatizimin e ciklit menstrual, gratë duhen ballafaquar edhe me vështirësi të tjera, pohojnë nga QIKA.

“Nëntë në dhjetë gra globalisht përjetojnë Simpotomin Paramenstrual të njohur si PMS, i cili përcjellet me dhimbje të forta dhe çrregullime të thera fizike e emocionale. Për shkak të këtyre problemeve, vajzat dhe gratë mund të ballafaqohen me vështirësi në angazhimet jashtë shtëpisë, siç janë shkolla dhe puna”, thonë në këtë organizatë.

Sipas një postimi nga QIKA nga muaji maj i këtij viti, për shkak se 78.6% e grave në Kosovë janë jashtë tregut të punës, kjo dukshëm vështirëson qasjen e tyre në produktet menstruale, që sipas kësaj organizate, nuk duhej të ishte luks.

“Mesatarja e shpenzimeve vjetore për menstruacione është: 30 euro për tamponë, 19.20 euro për peceta, 12 euro për tabletë kundër dhimbjeve, 20 euro për kupa menstruale e 24 euro për të brendshmet”, pohojnë në QIKA, bazuar në një hulumtim.

Këto institucione theksojnë se zonat më të prekura nga paragjykimet ndaj ciklit menstrual janë vendet rurale.

“Fatkeqësisht, ky lloj i të të menduarit është më i përhapur në pjesët më rurale të Kosovës, ku ka vende që ende i mbështjellin pecetat higjienike në mënyrë që të mos shihet çfarë ka brenda në qese për të mos u turpëruar para të tjerëve”, thonë në SIT. “… (aty) vazhdojnë të mbesin më të përhapura stereotipet gjinore dhe mbizotëron një mendësi e thellë partiarkale.”

Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim për Feminist, perceptimi i kësaj teme dallon edhe nga gjendja ekonomike e familjeve.

“Situata mund të jetë më e vështirë në zonat më rurale, ku as vëmendja shtetërore nuk depërton, sidomos në terma të luftimit të problemeve të natyrës gjinore. Kjo situatë mund të jetë e bashkëndarë edhe tek shtresat më të ulëta ekonomike të cilat kanë dukshëm më pak qasje qoftë në informacion, qoftë në shërbime të mirëfillta apo edhe në diskutime të cilat i adresojnë çështjet siç janë diskutimet mbi ciklin dhe trupin femëror.

Mënyra më efikase për destigmatizimin e kësaj teme, sipas këtyre organizatave, është vetëdijësimi i popullatës.

Respektivisht, institucionet përkatëse dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të organizojnë fushata të ndryshme që e shtojnë çështjen e ciklit menstrual dhe rënndësinë e kujdesit ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues”, shpjegojnë në SIT.

Në një prononcim për KosovaLive, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist thekson  se fillimisht shoqëria jonë duhet ta informojë vetën mbi ciklin menstrual dhe përse ndodh, e tek pastaj mund të fillojë ndërgjegjësimi i popullit lidhur me këtë temë.

“Në nivel norme, ne duhet ta largojmë stigmën përmes të folurit me ata që i njohim dhe fushatave të ndryshme të cilat mund të fillojmë që nga shtëpitë, komunitetet e shkollat tona”, pohojnë aktivistët nga Kolektivi. “Në makro-nivel, shteti duhet ta njohë shëndetin menstrual si aspekt të shëndetit dhe si nevojë bazike që vajzat e gratë e kanë, e kështu edhe të fillojë në ndërgjegjësim rreth tij.”

Përveç kërkesave për vetëdijësim e fushatave dhe shtimit të edukimit seksual në shkolla, është me rëndësi që institucionet shtetërore të kryejnë më shumë hulumtime lidhur me perceptimin e ciklit menstrual në shoqërinë kosovare, informata këto që janë të mangëta.

Hana Kaja

Gazetaria e Paqes në mes të Rinjve Kosovar mbështetet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), e financuar nga USAID dhe implementuar nga Rinia Aktive e Graçanicës dhe KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM