Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën Rajonale të Vullnetarizmit Edukativ, ku po diskutohet për rëndësinë e implementimit të Kornizës Kurrikulare për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës, në zhvillimin e kompetencave të cilat kanë për qëllim aftësimin e nxënësve për të qenë zot të vetvetes në çdo kohë dhe rrethanë.
Ministrja Nagavci pasi falënderoi pjesëmarrësit nga Kosova dhe rajoni për kontributin dhe angazhimin e tyre në avancimin e metodave të mësimdhënies dhe i inkujajoi ata në adaptimin e metodave më bashkëkohore, tha se qëllim i përbashkët i të gjithëve është që nxënësit tanë të bëhen pjesëmarrës aktiv dhe efektiv në të nxënit e tyre.
Nagavci shprehu mbështetjen e saj të fuqishme për iniciativa të tilla, të cilat synim kryesor kanë rritjen e shkathtësive të nxënësve sipas kërkesave dhe zhvillimeve të shekullit 21.
Ministrja Nagavci po ashtu tha se, nxënësve tanë duhet t’u ofrojmë metoda të reja të mësimdhënies, që shkojnë përtej ligjërimit klasik, pasi hulumtime të ndryshme, kanë dëshmuar se nxënësit janë më të suksesshëm nëse aplikohen metoda interaktive të mësimit, përmes projekteve, që përfshijnë në vete elementet si:identifikimin e problemit, hulumtimin, analizimin, planifikimin, bashkëpunimin në grup, etj.
Konferenca Rajonale e Vullnetarizmit Edukativ ka mbledhur së bashku përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror, drejtorë shkollash, mësimdhënës, studentë, pjesëmarrës të shoqërisë civile, donatorë, partnerë të tjerë dhe mbështetës të edukimit inovativ nga Evropa Qendrore dhe Juglindore, duke përfshirë: Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë dhe Sllovakinë.
OJQ “Toka”, e cila edhe e ka organizuar këtë konferencë, që nga viti 2018 përfaqëson Kosovën në Rrjetin e Vullnetarimit Edukativ të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CSEESLN). Ndërsa, projekti mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes Instrumetit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut EIDHR, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.