Build Skills with our trainings

Sign up now!

Komunitetet LGBTI konsiderojnë se injorohen nga niveli qendror

Dhj 13, 2021

Në një intervistë për KosovaLive, D.B, pjesëtar i komuniteti LGBTI, tregon se sa e ka të vështirë qasjen në rrethin shoqëror. Që nga koha kur shoqërisë së ngushtë i kishte treguar rreth orientimit të tij seksual, kishte filluar një ftohje në raportet e tyre. Ai tregon se pjesa më e vështirë ishte që të fshihte emocionet dhe mërzinë sa herë që shkonte në shtëpi. Që atëherë i është kushtëzuar qasja në shumë aspekte, e që ai ende pret për më të mirën. Ndonëse nuk e përcjellë shumë politikën, ai shpreson që organet e tanishme qendrore të kenë parasysh këto komunitete meqë qeveritë paraprake nuk e kanë patur në konsideratë.

“Në fillim ka qenë shumë e vështirë, jam mbyllur i vetëm në dhomë dhe kam qëndruar vetëm në klasë. Sot, e kam pak më të lehtë sepse kam një rreth të shoqërisë që më kupton, por përsëri nuk ndihem i barabartë me të gjithë moshatarët. Besoj që kjo qeveri të mos mbajë qëndrime tradicionale, por të jenë më mendjehapur”, potencon ai në një intervistë për KosovaLive,.

Ndonëse Kosova nuk është ende pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka të adoptuar në mënyrë zyrtare deklaratat të cilat përcaktojnë fushën e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të viteve 1945 me deklaratën e Kombeve të Bashkuara (neni 2) dhe Deklaratën për të Drejtat e Njeriut, kjo nuk do të thotë se në përmbajtjen e saj nuk zotohet që të mbrojë çdo të drejtë dhe liri të qytetarit të vet. 

Një gjë e tillë dëshmohet në nenin 24 të Kushtetutës, ku përcaktohet se askush nuk mund të diskriminohet duke përfshirë ndër të tjerash edhe “orientimin seksual”. Një e drejtë tjetër përcaktohet edhe në nenin 37, ku përfshinë të drejtën e krijimit të familjes në pajtim me ligjin. Mes tjerash në preambulën e kushtetutës vendoset si parim themelor  krijimi i një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetarë, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, por diçka e tillë lë shumë për të dëshiruar në praktikë.

Duket qartë se ekziston një vakuum mes aspektit legal, i cili garanton të drejtat e këtij grupit, dhe aspektit praktik, i cili përfshinë natyrën konservatore të shoqërisë sonë. 

Qasja e nivelit qendor ndaj komuniteteve LGBTI ka ndryshuar në bazë të rrethanave në të cilat është gjendur Kosova. Në vitin 2006 hyri në fuqi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës Ligji për familjen, i cili përcaktoi se martesa mund të bëhet në mes dy individëve, të cilët kanë sekse të ndryshme biologjike. Në vitin 2020, ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, pati prezantuar ndryshimet e Kodit Civil nga i cili pritej që të rregulloheshin disa çështje që kanë qenë problematike për një kohë të gjatë, ndër të cilat hynte edhe legalizimi i martesës mes seksit të njëjtë. 

Nevoja për t’i përfshirë personat LGBTI në nivel qendror lë shumë për të dëshiruar ashtu siç lë edhe komunikimi me institucionet qendrore, i cili është zbehur shumë. Përpjekjet dhe iniciativat për të ndërmarrë diçka të re dhe për të thyer këtë tabu, vazhdimisht dërgojnë në përgjigje me heshtje nga institucionet publike. 

Një hulumtim i bërë nga ERAC në mbështetje nga Bashkimi Evropian për “Avancimin e të drejtave LGBTI duke ndërtuar kapacitetet e nënpunësve publik”, nxjerrë në përfundim se mbrojtja e avancuar ligjore për të drejtat e njeriut nuk përputhet me praktikën ku shkelen të drejtat e komuniteteve LBGT. Po ashtu është hasur edhe një shkallë e lartë e qëndrimeve të ashpra negative ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti. 

Të pyetur mbi çështjen se si e shohin qasjen e nivelit qendror ndaj komuniteteve LGBTI, përfaqësues nga organizata joqeveritare Center for Social Group Development (CSGD Kosovo) theksuan për KosovaLive se qasja e institucioneve qendrore nuk është e kënaqshme dhe ajo vetëm sa shkon e degradohet. Në të kaluarën përfaqësues të institucioneve shtetërore nuk kanë hezituar që të jenë pjesë e aktiviteteve publike të organizuara nga këto komunitete, ku zakonisht kanë marrë pjesë. Në raste kur nuk kanë qenë në Kosovë, kanë dërguar edhe përfaqësues, kurse tani hezitojnë dhe nuk japin arsye për veprime të tilla.  

“Sa për informim, në vitin e kaluar kur ishte qeveria Kurti 1, për herë të parë pas gjashtë  vitesh radhazi, pati hezitim që të ndriçohet ndërtesa e Qeverisë për 17 Maj – Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT)”, thotë Arbër Nuhiu nga CSGD.

Pos kësaj, ai shton se nuk marrin përgjigje ndaj kërkesave që kanë, jo vetëm nga vetë institucioni, por as nga përfaqësuesit e tyre. Në një ngjarje të rëndësishme për këto komunitete e cila është Java e Krenarisë, por jo vetëm, nuk kishte marrë pjesë, asnjë nga përfaqësuesit e lartë përveç Presidentes.

“Është hera e parë sivjet në kuadër të aktiviteteve të Javës së Krenarisë asnjë nga përfaqësuesit e lartë, përveç presidentes në hapjen e Javës së Krenarisë, nuk kanë marrë pjesë në asnjë nga shumë aktivitete që janë organizuar, e as që kanë marshuar në Marshimin e zakonshëm që bëhet çdo vit”, shton ai.

Nga CSDG shprehen se nëse do kishin përfaqësim dhe ndikim më të madh tek institucionet qendrore, jetike për ata do të ishte fuqizimi i mekanizmave ekzistues dhe fuqizimi i institucioneve relevante për zbatimin e legjislacionit në fuqi që mbron të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës e që përfshinë edhe qytetarët LGBTI. 

Në këtë kohë ka persona nga komunitetet LGBTI të cilët janë të angazhuar në politikë, por orientimi i tyre seksual apo identiteti i tyre gjinor nuk zbulohet, për arsye të homofobisë në shoqërinë dhe në partitë tona politike. 

 “Që çështjet LGBTI të diskutohen në politikën ditore kosovare, ne mendojmë që fillimisht duhet të inicohet debat brenda partive politike në lidhje me këto çështje, duke filluar nga strukturat më të larta siç janë: këshilli i përgjithshëm, kryesia, kryetari i partisë e pastaj në strukturat tjera në degët dhe nëndegët e partive politike”, potencon Nuhiu.

Ajo se çfarë kërkojnë nga organet qendrore nuk është diçka e madhe, thjeshtë një qasje e njëjtë dhe e barabartë në shërbime publike sikurse të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës.

“Si për shembull, ofrimi i terapisë hormonale për personat transgjinor, ofrimi i shërbimeve të tjera shëndetësore pa paragjykim, qasje e lehtë dhe e barabartë për ndihmë juridike falas, eliminimi apo zvogëlimi i bulizmit që i bëhet një personi LGBTI në shkollat tona fillore dhe të mesme, por edhe në universitet, institucionet e rendit dhe të ligjit t’i trajtojnë rastet që ndërlidhen me orientimin seksual dhe identitetin gjinor pa paragjykime dhe diskriminim”, shton ai.

Se identiteti i personave që vijnë nga komunitetet LBGTIQ+ e që marrin pjesë në politikë, mbetet i fshehur për arsye të mendësisë së shoqërisë kosovare, pohohet edhe nga organizata joqeveritare Center for Equality and Liberty (CEL Kosovo), që merret me barazinë dhe të drejtat e komuniteteve LBGTIQ+. Përfaësuesit e kësaj organizate sqarojnë se do ishte e rëndësishme për ata, nëse do kishin një përfaqësim të drejtpërdrejtë nga ndonjë anëtar i komunitetit të tyre në ndonjë nga institucionet qendrore, kjo për arsye se do të bënin një punë më të madhe drejt respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut duke mos bërë asnjë dallim.

“Persona LGBTIQ+ të përfshirë në politikë e të cilët kanë dalë hapur nuk ka ende, dhe rrjedhimisht përfaqësimi nga vetë anëtarët e komuniteteve LGBTIQ+ në politikë për t’i shtyrë çështjet e këtyre komuniteteve përpara është i mangët, meqenëse politikanëve të tjerë nuk u bie ndërmend”, potencojnë për KosovaLive përfaqësues nga organizata CEL.

Në anën tjetër, ata tregojnë se qysh nga zgjedhjet e kaluara mbrojtja, avancimi dhe promovimi i të drejtave të personave LGBTIQ+ nuk është marrë fare parasysh. Në pasqyrën e një numri të madh të partive politike, që përfshinë programin e tyre, nuk është folur për të drejtat apo ndonjë strategji pune për këto komunitete. Kjo lë të kuptohet se kjo qasje lë anash një pjesë të qytetarëve të Kosovës.

“Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të personave LGBTIQ+ nuk kanë qenë fare të përfshira në fushatat elektorale e as në programet qeverisëse të partive politike. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në këto zgjedhje për kuvende komunale, me përjashtim të një partie politike e cila ka përmendur personat LGBTIQ+ përgjatë fushatës”, shtojnë ata.

Sa i përket mbrojtjes, promovimit dhe avancimit të të drejtave të personave LGBTIQ+,  organizatat që kanë për objektiv këto komunitete, vlerësojnë se ka ende shumë punë për t’u bërë, por që fillimisht duhet përdorur një strategji tjetër dhe kjo e cila vendos vetëm barrierë për të mos ecur përpara. 

Çfarë do t’i sjellinn të re vendit tonë dhe si do kontribuonin për këtë shoqëri në qoftë se do të ishin me përfaqësim më të madh në politikën vendore?

“Gjithsesi, personat LGBTIQ+ janë persona shumë kreativë. Disa prej tyre, kryesisht rinia LGBTIQ+, janë të përfshirë në programe kulturore e artistike, por gjithmonë me vetëiniciativë dhe rezistencë për ta zënë vendin e tyre të meritueshëm në mesin e plotë të tjerëve që në krahasim me personat LGBTIQ+ gëzojnë shumë privilegje”, tregojnë nga CEL.

Diçka që lë për të dëshiruar është fakti se rinia në Prishtinë është shumë më e larmishme e ku rinisë LBGTIQ+ u mundësohet liria e shprehjes dhe e veprimit dukshëm më lehtë se në komunat e tjera të Kosovës ku diçka e tillë është më e ulët.

Profesori i Shkencave Politike dhe njëherësh edhe dekan i këtij fakulteti në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), Dritëro Arifi thotë se qasja e nivelit qendror ndaj komuniteteve LGBT është më shumë në nivel deklarativ se sa praktik. Sipas tij, qasja e nivelit qendror lë shumë për të dëshiruar, sepse ende nuk është marrë ndonjë iniciativë që të bëhet ndonjë progres, për shembull duke marrë në nivel qendror anëtarë nga këto komunitete.

 “Perceptimi i nivelit qendror s’ka ndryshuar në përmbajtje në lidhje me komunitetin LGBTI. Do të ishte një shembull i shkëlqyeshëm, si hap i parë nëse në nivelin qendror një ministër apo këshilltar të vinte nga këto komunitete që të mund të përfaqësonte më mirë ato dhe të ishte një model për ndryshimin e perceptimit shoqëror”, u shpreh Arifi për KosovaLive.

Duke dhënë kritika ndaj nivelit qendror, ai kritikon edhe në një farë mënyrë edhe shoqërinë ku nuk besojnë në të drejta të barabarta apo të drejtat e njeriut në përgjithësi. Në rast se ato do të respektoheshin dhe paragjykimet do të largoheshin, kjo gjendje në të cilën janë sot këto komunitete nuk do të ekzistonte.

“Pra ne si shoqëri ende nuk besojmë në të drejtat e njeriut në tërësi, si të drejtat universale për të gjithë, si në rastin e Komunitetit LGBTI”, potencoi ai.

Komunikimi, ofrimi i shërbimeve publike, heqja e paragjykimeve dhe thjeshtë një mendësi tjetër jo kaq konservatore nga organet qendrore, cilësohet të jetë një hap i vogël për këtë nivel shtetëror, por një hap i madh për këto komunitete. Kjo trysni shoqërore ka bërë që personat LGBT ta fshehin orientimin e tyre seksual ose identitetin gjinor. 

Krenare Lika

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM