Build Skills with our trainings

Sign up now!

Vendimi për arsimin publik falas ngjall reagime të ndryshme, po edhe pyetje

Dhj 13, 2021

Studentët e universiteteve publike 1 tetori i vitit 2021 i gjeti 54 mijë e 753 pa fatura në duar, kjo pasi arsimi publik në Kosovës u bë falas. E arsimi i lartë pa pagesë ka qenë kërkesë e studentëve për vite me radhë.

Por para se të ndodhte kjo, në shkurt të po këtij viti Qeveria për herë të parë i liroi nga pagesa studentët e nivelit bachelor, ndërsa studentët e masterit dhe doktoratës duhej të paguanin vetëm 50 për qind të shumës që kishin paguar ndër vite.

Më 17 shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës përmes një Udhëzimi Administrativ, mori vendim për të liruar nga pagesa e semestrit të gjithë studentët e universiteteve publike në nivelin bachelor dhe master, ndërsa për studentët e doktoraturës u premtua se do të ketë lehtësira. Vendimi filloi të zbatohet prej 1 tetorit. 

E ky vendim i Qeverisë ngjalli reagime të shumta, disa nga të cilat ishin që Qeveria Kurti këtë e bëri për fushatë, e disa të tjerë e shihnin si të domosdoshëm, por studentët natyrisht që ishin pro kësaj.

“Unë mendoj që lirimi nga pagesa, si studente më ka ndihmuar jashtë mase, duke pasur parasysh që shpenzimet në master janë edhe më të larta”, ka thënë Mirlinda Berisha.

Mirlinda Berisha, studente në Fakultetin e Edukimit mendon se me këtë vendim cilësia e arsimit nuk do të ndryshojë.

“Nuk mendoj që cilësia e arsimit do të pësojë rënie pasi që ka studentë në Kosovë që paguajnë shuma të mëdha parash për ta marrë një diplomë fakulteti në kolegjet private”, është shprehur ajo.

Nga ana tjetër, Arbër Gecaj nga Parlamenti Studentor shprehet i pakënaqur me vendimin e qeversisë.

“Me Udhëzimin e ri Administrativ parashihet që çdo semestër që regjistrohet për herë të dytë e tutje duhet të paguhet, Pra, nuk kemi të bëjmë me arsim publik falas por thjeshtë me ndryshim të llojit të pagesave. Andaj kërkojmë që të realizohet premtimi për arsim publik falas e të mos mashtrohemi në këtë mënyrë”, ka thënë Gecaj.

Gecaj theksoi se studentët janë liruar nga pagesa e semestrave por jo edhe nga pagesat e tjera.

“Me vendimin e ri studentët janë liruar nga pagesat e semestrave mirëpo studentët e nivelit bachelor detyrohen të paguajnë 1 euro (shto 0.50 deri 1 euro provizon) për çdo provim që paraqitet për herë të dytë e tutje dhe studentët e nivelit master 2.50 euro (shto 0.50 deri 1 euro provizion) për çdo provim”, ka shtuar Gecaj, përfaqësues i studentëve nga Parlamenti Studentor.

Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, konsideron se ky vendim është politikë e majtë e kahmotshme e partisë në pushtet dhe se është iniciativë që nuk mund të kundërshtohet sepse lidhet me interesin e studentëve duke shtuar se nga ky vendim janë përjashtuar studentët e kolegjeve private. 

“Rreth 37 mijë e 149 studentë të kolegjeve private që përafërsisht janë të të njëjtës shtresë socio ekonomike sikurse studentët nga publiku, janë të anashkaluar në tërësi nga kjo skemë”, ka thënë Qehaja në një prononcim për KosovaLive.

Vendimi për arsimin publik falas sipas profesorit universitar, Milazim Krasniqi, nuk ka qenë vendim me mend, pasi kjo vetëm se do ta rëndojë buxhetin e Kosovës, pa rritur cilësinë e studimeve.

“Heqja e tarifave nuk ndikon aspak në përmirësimin e cilësinë e studimeve, kjo është një skemë sociale. Unë mendoj që skemat sociale të mëhershme kanë qenë të mjaftueshme për t’i mbrojtur studentët e varfër dhe kategoritë e familjeve të dala nga lufta, fëmijët e dëshmorëve ose veteranëve, kështu kjo mënyrë si lloj barazimi për të gjithë është e padrejtë sepse siç dihet ka familje të pasura që nuk e kanë problem pagesën e tarifave të studentëve”, tha Krasniqi.

Për më tepër, sipas Krasniqit tarifat do të duhej të ishin edhe më të larta në mënyrë që të financohen projektet studimore pasi në këtë aspekt Universiteti është i varfër për shkak që fondet janë shumë të vogla. 

Pagesën e semestrit nuk po e paraqet problem as Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjën e Cilsësisë në Arsim, e sipas një hulumtimi që e ka bërë kjo organizatë në Universitetin “Hasan Prishtina”, as studentët nuk e shohin  si problem të kushtueshëm pagesën e semestrit.

“…asnjë njësi akademike, përmes studentëve që kanë marrë pjesë në pyetësorë dhe fokus grupe, nuk kanë deklaruar se pagesa e semestrit paraqet problem financiar në shpenzimet e tyre, në ndërkohë ata kanë pasur shqetësime tjera që lidhen direkt me kushtet e të studiuarit në këto fakultete, shqetësime që lidhen me mungesën e literaturës për të studiuar, pagesat për materiale shpenzuese, pagesat për kurse shtesë për të zotëruar lëndën”, ka thënë Hoxha, koordinator i aktiviteteve në ORCA.

Sipas po të njëjtit hulumtim, as shpenzimet tjera si ajo e menzës dhe konviktit nuk janë paraqitur si shpenzime të larta apo të papërballueshme nga ana e studentëve.

KosovaLive ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit lidhur me implikimet e mundshme të vendimit për arsimin publik falas dhe në financimin e universiteteve dhe projekteve studimore, përfundimisht edhe në buxhetin edhe ashtu të rënduar të vendit, por ka mbetur pa përgjigje.

Valona Hasani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM