Build Skills with our trainings

Sign up now!

Presidentja Osmani: Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës

Jan 15, 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka qëndruar në Kodrën e Bebushit, aty ku ndodhi masakra e Reçakut.ku në Kodrën e Bebushit kanë dëgjuar rrëfimet e tmerrit të mbijetuarve të masakrës së Reçakut.

Presidentja Osmani ka thënë se Reçaku është dhimbja jonë e përhershme dhe është nevoja për ta ruajtur paqen dhe dinjitetin njerëzor. Ky vend paraqet edhe fillimin e fundit të përpjekjeve të regjimit serb për shfarosjen e shqiptarëve. Reçaku është njëri nga vendet prej ku filloi të marrë formë liria jonë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.

 

Njëzetë e tre vjet më parë, jo shumë larg nga vendi ku sot të gjithë bënë nderimet e tyre, bota u lemeritë dhe e kuptoi përfundimisht nga pamjet makabre të masakrës së Reçakut krimin që ndodhi mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.  Civilëve duarthatë, mëngjesin e ditës së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

 

Atë ditë, Kodra e Bebushit, siç njihet nga banorët lokal ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i qëllimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit, ishte pasqyrim i masakrave ndaj njerëzve të cilët ndodheshin në shtëpitë e tyre dhe të cilët u përballën me egërsinë e forcave policore e ushtarake serbe.

 

Përgjatë dhjetë orëve të sulmit, të vrarë pati edhe në pjesë të tjera të fshatit, prandaj me të drejtë edhe shefi i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, Wiliam Walker, nga ajo që pa në vendngjajre, pa hezitim, siç kishte deklaruar vetë atëbotë, aktin e cilësoi si një masakër të tmerrshme dhe krim të rëndë kundër njerëzimit.

 

Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar prezent në vendngjarje ishin vula e dëshmisë së këtij akti makabër dhe njëherë dëshmitarët më autentik krahas edhe të mbijetuarve të krimit, pra dëshmitarë të barbarisë së pushtetit të Millosheviqit, i cili kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve, dhe këtë e bënte para syve të të gjithë botës.

 

Tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut, janë përpjekje e qartë për rehabilitimin e atyre që kanë kryer krimin. Por propaganda asnjëherë nuk mund t`i ndryshojë faktet historike. E sidomos jo një të vërtetë që ka ndodhur para syve të të gjithë botës. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut, e Reçaku është njëra ndër masakrat e shumta të tmerrshme ku u dëshmua ky qëllim.

 

Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit. Por e vërteta për Reçakun është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagande nga bashkëpunëtorët e afërt të regjimit të Millosheviqit.

 

Historia e dokumentuar nuk mund të ndryshohet dhe as nuk është subjekt i interpretimit. Ndaj një krimi siç ishte masakra e Reçakut, propaganduesit duhet të ndjejnë keqardhje, e në të njëjtën kohë edhe të kërkojnë falje e të sjellin drejtësi!

 

Në kompleksin e varreve që vizituam sot, vetëm një varr është ende bosh, si dëshmia më e qartë e krimit të 15 shkurtit të vitit 1999. Saga ende nuk ka marrë fund për familjen Metushi. Fati i nënës së tyre Sahides rri pezull mbi lirinë e tyre, por edhe lirinë tonë. Në kërkim të saj, ata nuk reshtën prej ditës së trishtë, porse asnjë lajm deri më sot. Madje, asnjë lajm edhe për mbi 1600 të zhdukur të tjerë me dhunë nga lufta e fundit, të cilët janë përkushtim i yni i çdoditshëm dhe pa të cilët liria jonë gjithnjë do të mbetet  e papërmbushur.

 

Secili prej këtyre varreve ka një histori tmerri. Secili varr dëshmon gjithçka. Të gjitha këto varre bashkë përbëjnë një dëshmi të argumentuar, të pakontestuar dhe të dokumentuar.

 

“Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës”, pati deklaruar atëherë presidenti i SHBA-së, Bill Clinton.

 

Kjo masakër shënoi kthesën më të rëndësishme të periudhës së luftës në Kosovë, ngase diplomacia botërore intensifikoi përpjekjet për ndalimin e barbarisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

 

Në të njëjtën kohë intensifikoi edhe përpjekjet e vajzave e djemve të UÇK-së për lirinë e vendit tonë.

 

Pamjet nga Reçaku prekën jo vetëm ndërgjegjen e njerëzve të zakonshëm kudo në glob, por edhe atë të diplomacisë botërore.

 

Afro dy muaj më pas, NATO-ja nisi fushatën e sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake të Serbisë duke e detyruar njëherë e përgjithmonë largimin e saj nga Kosova që nga 24 marsi 1999.

 

Sot Reçaku dhe Kosova janë të lirë falë angazhimit dhe sakrificës së popullit të Kosovës, si dhe falë ndihmës së aleatëve tanë të përhershëm nga bota demokratike.

 

Duke i përkujtuar çdo vit viktimat e Masakrës së Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e masakrave anekënd Kosovës ne e kujtojmë e rithemi të vërtetën, e asgjë pos të vërtetës, të cilën duhet ta themi këtu, por edhe kudo tjetër në botë.

 

Nëse dikur luftuam për lirinë tonë, sot duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës, duke shikuar gjithnjë kah e ardhmja.

 

Do të kthehemi çdoherë në Reçak, do ta themi me zë të lartë se këtu u dëshmua se krimet kundër civilëve shqiptarë janë ato që tregojnë qëllimin shfarosës të regjimit të atëhershëm të Serbisë, dhe duke kërkuar që drejtësia, e jo mohimi i krimeve të jenë kryefjala e veprimeve të secilit.

 

Të vërtetën për Reçakun do ta bartim tutje, do ta themi me zë të lartë, sepse në çdo cep të globit duhet të dëgjohet ajo. Nuk do të lejojmë asnjëherë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë apo tendencat për ndryshim të historisë, dhe nuk do ta lejojmë që ajo të përsëritet, jo vetëm në Kosovë, por duke qenë edhe vet dëshmitarë dhe viktima të regjimit të gjenocidit, do ta ngrisim zërin kundër gjenocidit, kundër krimeve kundër njerëzimit, e kundër krimeve të luftës gjithandej nëpër botë.

 

Reçaku është dhimbja jonë e përhershme dhe është nevoja për ta ruajtur paqen dhe dinjitetin njerëzor. Ky vend paraqet edhe fillimin e fundit të përpjekjeve të regjimit serb për shfarosjen e shqiptarëve. Reçaku është njëri nga vendet prej ku filloi të marrë formë liria jonë.

 

Prandaj, sot nga ky vend, përulemi para të gjitha viktimave civile, nderojmë kujtimin për ta, për të gjithë martirët e për të gjithë dëshmorët, bashkëndjejmë me familjet dhe e rithemi zëshëm të vërtetën e vetme, se populli i Kosovës ishte viktimë e një regjimi gjenocidal që është akoma në pritje të drejtësisë!

 

Sot, së bashku me udhëheqësit e institucioneve vizituam vendin e ngjarjes, Kodrën e Bebushit. Vendin ku ishin masakruar të gjithë këta civilë, dhe nga aty dëgjuam rrëfimet e tmerrit të atyre pak të mbijetuarve. Nga asnjëri prej tyre asnjëherë nuk mund të dëgjoni kërkesë për hakmarrje, vetëm kërkesë për drejtësi. Drejtësia është e vetmja që gjithnjë do të kërkojmë.

 

Qoftë i paharruar kujtimi për të gjithë të rënët në Reçak!

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM