Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku njofton se me premierën e luajtur më 28 nëntor dhe reprizën e mbrëmshme më 30 nëntor, shfaqja “Club Albania” me regji të Fatos Berishës përuroi hapësirën e re të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku morrën pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arjeta Fejza.
Bazuar në komedinë politike “Pas vdekjes” të Andon Zako Çajupit, “Club Albania” është një kritikë therrëse mbi degradimin kulturor të 20-vjetëshit kryesisht si pasojë e politikanit sharlatan të preokupuar me çfarë do të shkruhet për të “pas vdekjes”.
Çeku në postimin e tij në Facebook ka thënë se përgjatë afër dy orëve skenike me ritëm të lartë, publiku që e kishte stërmbushur amfiteatrin u mbajt në tensionin e betejës konstante mes dëshpërimit dhe shpresës. Përplot humor politik brenda simbiozës dashuri-urrejtje për teatrin (dhe artin), të qeshura e duartrokitje të shpeshta nga publiku, thirrje për zgjim kombëtar e shoqëror, “Club Albania” është një realizim që nuk duhet të humbet.
Përgëzime për gjithë ekipin e shfaqjes, regjisorin Fatos Berisha, dramaturgun Shpëtim Selmani dhe pjesën tjetër të ekipit. Dhe natyrisht aktorët, Armond Morina, Ard Islami, Armend Smajli, Majlinda Kosumovic, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi.