Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në partneritet me Qeverinë gjermane dhe MFPT, ka filluar aktivitetet në kuadër të Muajit të Rinisë.
Kampi Veror synon të sjellë bashkë të rinjtë nga të gjitha trevat për të ndarë përvojat e tyre dhe për të punuar në zhvillimin e aftësive të tyre, me theks të veçantë në fushën e karrierës dhe aktiviteteve orientuese, duke përfshirë edukimin nëpërmjet sportit.
Kampi do të zgjasë për 3 ditë, ku të rinjtë në grupmoshën 18-29 vjeç (përfshirë edhe punëkërkuesit) do të përfshihen në një varg të aktiviteteve të frytshme dhe informuese.
Aktivitete të orientimit për karrierë, seminare për përgatitjen e aplikacioneve, si dhe sesione të aftësive të buta dhe aftësive jetësore do të jenë pjesë e këtij kampi. Për të siguruar një mjedis të përshtatshëm për mësimdhënie dhe argëtim, të gjitha aktivitetet do të zhvillohen brenda kampeve, duke përfshirë dhe eksperiencën e aktiviteteve në natyrë dhe sportive.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Agon Dobruna, zëvendësministër i MFPT, Vera Baumann, drejtuese e bashkëpunimit për zhvillim nga Ambasada Gjermane dhe Onur Canhas, këshilltar politik, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.






