Në mbledhjen e 156-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka miratuar në parim vendimin për certifikatat pjesëmarrëse të Republikës së Kosovës në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe pagesën e kapitalit.
Janë ndarë 160,000.00 (njëqind e gjashtëdhjetë mijë) euro për zbatimin e masës 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave dhe Masës 5 – Investimi në Infrastrukturë dhe ambient të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Qeveria ka miratuar vendimin për rialokimin e 2,000,000.00 euro në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), me qëllim përkrahjen e komunave në përmirësimin e infrastrukturës rrugore lokale, për 29 projekte kapitale, në 17 komuna të Republikës së Kosovës, përkatësisht Deçan, Gjilan, Mamushë, Drenas, Kamenicë, Vushtrri, Skenderaj, Shtime, Podujevë, Istog, Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Junik, Lipjan, Hanit të Elezit, Novobërdë.
Më tej është shqyrtuar kërkesa për shpalljen e zonës së mbrojtur ujore për qëllime strategjike me interes publik të ndërtimit të digës sipas projektit “Hidrosistemi Iber-Lepenc Faza I”. Me këtë po e bëjmë hapin e parë drejt zbatimit të projektit të ndërtimit të Digës së Firajës sipas projektit “Hidrosistemi Iber-Lepenc Faza I”. Ky hap do të ndihmojë në ruajtjen e burimeve ujore, dhe në të njëjtën kohë do të forcojë përpjekjet tona për t’ju përgjigjur sfidave të mjedisit dhe klimës në Kosovë.
Qeveria ka propozuar dy anëtarë të Autoritetit të Komisionit të Konkurrencës Kuvendit të Republikës së Kosovës, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi – Loku.
Miratuar Koncept Dokumentin për Kodin e Procedurës Civile i cili ka për qëllim kodifikimin e legjislacionit për përcaktimin e rregullave procedurale civile, përmirësimin e normave ekzistuese si dhe përditësimin e tyre dhe harmonizimin me standardet më të mira ndërkombëtare në sferën e procedurës civile.
Miratuar Koncept Dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës, i cili ka për qëllim themelimin e Gjykatës së re Administrative dhe divizioneve të veçanta për kontestet e punës nga sektori privat në kuadër të departamenteve të përgjithshme të gjykatave.
Miratuar Koncept Dokumentin për Rregullimin e Fushës së Punësimit. Dy shtyllat e programit të Qeverisës janë drejtësia e punësimi. Në linjë me këtë të dytën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka sjellë për aprovim këtë koncept-dokument që identifikon problemet kryesore në fushën e punësimit, si dhe hapat për të adresuar problemet e identifikuara.
Qeveria ka aprovuar vendimin përmes të cilit ndryshohet dhe plotësohet pika 1. e Vendimit të Qeverisë Nr. 28/99 të datës 30 shtator 2022 për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, përmes së cilit shtyhet afati i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave për datën 1 nëntor deri me 15 dhjetor 2023. Për një proces të madhësisë së këtillë, ndihma ishte e mirëseardhur. Me mbështetjen e UNOPS do ndërmerrnim hapat e parë për sigurim të prokurimit të pajisjeve të domosdoshme për procesin. Por, duke respektuar Kushtetutën dhe Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, ne nuk mund të trajtonim nje bashkëpunim të tillë ndryshe përveç se si marrëveshje ndërkombëtare, për dallim nga praktikat e kaluara të cilat në vitin 2011, pikërisht në qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilës i transferuan miliona euro për qëllime të prokurimit, e bënë me një memorandum të thjeshtë mirëkuptimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cënon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me Qeverinë tonë nuk bëhej. Duke parë gjithashtu trajtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend së fundmi, e për të përshpejtuar procesin, prokurimi, apo një pjesë të tij, i është lënë nën menaxhim autoritetit qendror të prokurimit, organ ky që përfundoi me sukses obligimin e dhënë. Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund të fillojë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj më vonë, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit.
Miratuar Projektligjin për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm. Aderimi i Kosovës në këtë konventë do t’u ofrojë lehtësira bizneseve, shoqatave dhe institucioneve.
Aprovuar vendimin për përfundimin e mandatit të parakohshëm të Bujar Ejupi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, në këtë mbledhje Kabineti Qeveritar është informuar mbi zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian për periudhën janar – qershor 2023, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.