Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i është drejtuar me shkresë zyrtare Dioqezës në Rashkë të Prizrenit për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator.
Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore janë ftuar autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore.
Qeveria e Kosovës deri tash ka dhënë dëshmi të panumërta të vullnetit për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse. Vetëm para më pak se tre muaj, bashkë me partnerët ndërkombëtarë kemi përfunduar restaurimin e tri kishave ortodokse në Kosovë, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.




