Policia në Vushtrri është njoftuar nga një qytetar (dëshmitar) se derisa kishte qenë duke mbledhur hekurina ne një vend ku hidhen mbeturina në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë, kishte hasur në dy armë të gjata.
Njësitet policore të Stacionit Policor Vushtrri, kanë shkuar menjëherë në atë lokacion dhe përpos armëve të gjata kanë vërejtur edhe armë dhe municione tjera.
Në lidhje me rastin, vendin e ngjarjes e kanë ekzaminuar njësitet përkatëse policore dhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksploduese nga FSK-ja dhe KFOR-i. Në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar këto lloje të armëve, të gjitha prodhim jugosllav:
– Një armë automatike M-70 Zastava
– Një armë gjysmë automatike M-59 Zastava
– Tre karikatorë të Ak-47
– Një mjet shpërthyes-tromblon
– Katër granata dore
– 360 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm
Është kontaktuar prokuroi i shtetit në lidhje me këtë rast dhe sipas udhëzimeve të tij është iniciuar rasti ,,Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim te pa autorizuar te armeve” dhe hetimet për zbardhjen e këtij rasti do të vazhdojnë, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.