Ndonëse ka kaluar një vit e sa që kur Covid-19 zbarkoi në çdo cep të botës, gjendja momentale e pandemisë nuk është edhe aq stabile dhe shpresëdhënëse. Pothuajse të gjitha sferat e jetës janë prekur nga kjo fatkeqësi, përfshirë këtu edhe sferën e organizimit dhe funksionimit të aktiviteteve kulturore. Një numër i madh i koncerteve, premierave, festivaleve, diskutimeve publike, punëtorive e shumë të tjera janë anuluar, duke lënë disa hapa prapa zhvillimin dhe progresin e jetës kulturore.
Kësaj gjendjeje kaotike nuk i shpëtuan dot as qytetet e Kosovës. Në kuadër të rrethanave të tilla aspak të favorshme, Qeveria e Republikës së Kosovës erdhi në përfundim me disa masa anti Covid-19, në mënyrë që të reduktohej numri i të infektuarve dhe të vdekurve. Këto masa përfshinë edhe ndërprerjen e çdo aktiviteti kulturor e sportiv për një kohë të pacaktuar.
Në një prononcim për KosovaLive ish zëvendës-ministri për Kulturë, Rini dhe Sport Engelbert Zefaj, thotë se pandemia ka qenë barrierë për zhvillimin e shumë aktiviteteve, mirëpo janë kujdesur gjithënjë që çdo institucion dhe zyrtar përgjegjës për organizmin e aktiviteteve kulturore të respektojë masat mbrojtëse dhe vendimet nga qeveria.
Sot, edhe pse ka kaluar një periudhë mjaft e gjatë dhe e konsiderueshme që kur masat anti Covid qenë zbatuar, ditë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës mori sërish një vendim për masat e reja që do përfshijnë një periudhë së paku 2 javore. Sipas këtij vendimi, institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe ato komunale, detyrohen të punojnë në një orar të caktuar duke shfrytëzuar vetëm 20% të hapësirës së objektit përkatës.
Sa kanë ndikuar këto masa apo në përgjithësi e gjithë kjo gjendje pandemike tek organizimi i aktivitete kulturore, mund të merret një pasqyrë nga qyteti i Pejës, qytet ky i cili u dëmtua seriozisht por prapë mbetet njëri nga qytetet i cili dhuron kontribut të madh në sferën e kulturës dhe njihet me organizim dhe jetë kulturore shumë të gjallë.
Një numër i madh akterësh dhe institucionesh nga ky qytet, bashkëdyzojnë forcat dhe japin përformanca madhështore për kontinuitetin e aktiviteteve kulturore.
Në faqen zyrtare të Komunës së Pejës, tregohet se Teatri profesional “Istref Begolli”; Bibloteka ndër-komunale “Azem Shkreli”; Shtëpia e Kulturës; Galeria e Arteve; Muzeu etnologjik; Kino-Teatri “Jusuf Gërvalla”, si dhe plot shtëpi të kulturës dhe qendra kulturore e sportive janë disa nga institucionet të cilat kanë nën përgjegjësinë e tyre aktivitetet kulturore.
Por sa kanë qenë aktive këto gjatë kohës së pandemisë dhe se si arritën ta “shpëtojnë” kulturën, tregojnë disa nga zyrtarët përgjigjës.
Shengyl Kelmendi Gashi, drejtoreshë në biblotekën “Azem Shkreli”, tregon se ndonëse ka qenë kohë pandemie, në respektim të masave dhe rregullave për mbrojtje nga virusi Covid-19, ata kanë vazhduar punën. Sallat dhe dhomat e leximit kanë qenë çdo herë nën vëzhgim duke mos lejuar kontakt në më pak se 2 metra distancë. Krahas kësaj edhe librat e kthyer nga lexuesit janë vendosur në karantinim për së paku 3 deri në 4 javë. Por, këto kushtet nuk duket se i kanë lënë të kënaqur një pjesë të lexuesve e sidomos ata nga mosha 6 deri në 16 vjeç.
“Është vërejtur një rënie e numrit të regjistrimeve nga mosha 6 deri në 16 vjeç apo përkatësisht nivelit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Sallat nuk janë më plot siç kanë qenë përpara por çka më habit është rritja e numrit të regjistrimeve nga nxënësit e shkollave të mesme dhe studentëve”, thotë ajo.
Shengyl Kelmendi Gashi shpreson që aktivitetet letrare të kthehen në gjendjen e mëparshme me takime fizike dhe jo virtuale, dhe shpreson të këtë më shumë aktivizim dhe lëvizje nga rinia për një të ardhme më të mirë.
Edhe shefi për kulturë në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë, Aver Husaj potencon se zbatimi i planeve dhe strategjive nuk ka qenë i lehtë, por kanë arritur t’i menaxhojnë disi në mënyrë që të mos krijohet një hendek mes aktiviteteve kulturore dhe qytetarëve.
“Nuk kemi pasur mundësi të funksionojmë si atëherë, as në mënyrë institucionale e as në mënyrë organizative. Jemi munduar që ta zbatojmë planin e punës duke transferuar shumicën e aktiviteteve kulturore si ‘Kolonia e artistëve’, ‘Takimet letrare Azem Shkreli’, e shumë debate e takime në mënyrë virtuale për të vetmen arsye që të mos ketë shkëputje nga këto aktivitete”, thekson ai.
Megjithatë, Husaj potencon se është cunguar jeta kulturore, e jo vetëm nga pandemia.
“Kulturës nuk i japet aq sa duhet e as 50% nuk kompenzohet. Presim subvencione por nuk ka. Zhvillimi i jetës kulturore është cunguar e tani pandemia veç sa i ka jep motiv”, shton ai.
Granit Karagjyzi dhe Zana Ramovic nga organizata “Anibar”, autorët e raportit hulumtues “Situata me kulturën në Pejë – Një percepcion publik”, potencojnë se në këtë analizë janë munduar që në një farë mënyre të tregojnë se në çfarë niveli janë aktivitetet kulturore në Pejë. Më konkretisht ata mbledhjen e të dhënave për një raport të tillë e kanë bërë për 24 muaj rresht, në mënyrë që të marrin përgjigje para dhe gjatë pandemisë.
“Kemi synuar që përmes këtij raporti të transmetojnë qartësisht nevojat, mungesat dhe kërkesat e banorëve mbi atë që konceptohet si kulturë dhe jetë kulturore”, theksojnë ata.
Ky raport nxjerrë në përfundime se kultura dhe aktivitetet janë me rëndësi mjaft të madhe për qytetarët e Pejës, mirëpo ka hapsirë për përmirësime në infrastrukturë, aktiviteteve të reja, rritje të numrit të audiencës në disa raste, si dhe një informim më adekuat dhe të mjaftueshëm.
Granit Karagjyzi, si bashkëautor i reportit tregon se ky lloj hulumtimi ishte shumë i nevojshëm sepse diçka të tillë nuk kishte pasuar komuna e Pejës. I vetmi problem i shfaqur kishte qenë frika që kishin qytetarët në rast kontakti për intervistë, por meqenëse janë respektuar masat e duhura çdo gjë ka ecur rrjedhshëm.
Me dëshirë të madhe ai shprehet se dëshiron që këto aktivitete të mos ndalojnë por të ketë një zgjidhje për çdo gjë.
“Do ishte mirë që çdo gjë të kthehet në normalitet, por edhe nëse jo, prapë këto aktivitete kulturore si festivalet, takimet e debatet të mbahen por duke respektuar çdo vendim dhe masë nga qeveria. Nuk është njëjtë, por më mirë se fare. Rigjallërimi nuk do jetë i lehtë por dalë-nga-dalë do ndodhë”, potencon ai.
Menaxheri i projekteve në “Anibar”, Valton Marku në një intervistë për KosovaLive thekson se krijimi i një situate të tillë nuk ishte menduar e lërë më pritur që të ndodhte. Si çdo fushëveprimtari tjetër që e kishte zënë papritur kështu kishte ndodhur edhe për kulturën. Gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë dhe krijimi i një strategjie më të fuqishme se vet virusi, ishin gjërat primare për të cilat mendonte ai si menaxher i projekteve që organizon Anibari.
“Kur filloi pandemia kemi qenë në një situatë totalisht të hutisur, nuk ishim në dijeni se çfarë do ndodhte. Pas një situate 20 ditore kemi fillu me mendu si të implementojmë dhe materializojmë planet tona. E udhës ishte që disa aktivitet të bëhen online,” thotë Marku.
Ai thekson se aktivitetet kulturore nuk e kanë hijeshinë që të organizohen online, por mënyra e organizimit dhe implementimit të projekteve kishte rezultuar më mirë se sa ata kishin menduar. Qytetarët ishin gati të bashkëpunonin dhe ishin të lumtur që në këtë kohë pandemie dikush kishte menduar për ata.
“Përkundër situatës së vështirë ne arritëm qëllimin tonë, duke mos lënë aktivitet kulturore të shuhen. Disa i zhvendosëm online kurse disa të tjera nuk qe e mundur të zhvillohen në atë mënyrë. Poashtu, krijuam platformën online (e cila zgjati 1 muaj) për shfaqjen e filmave të animuar në kuadër të festivalit i cili zhvillohej çdo vit në mënyrë fizike duke pritur mysafirë nga e gjithë bota, si dhe duke krijuar një diversitet kulturor”, thotë ai.
Ndonëse çdo e keqe e ka një të mirë, edhe në këtë rast diçka pozitive.
“Tani jemi më fleksibil dhe natyrshëm do veprojmë më shpejtë në raste se diçka e tillë do përsëritet”, shton ai.
Kjo lloj gjendjeje padyshim që ka lënë pasoja të dyfishta, jo vetëm tek këto institucione dhe akterë që merren me organizimin e tyre, por edhe tek qytetarët të cilët janë përballuar me një kohë të vështirë dhe kanë vuajtur edhe pasojat psiqike. Përderisa atëherë ngushëllim, zbavitje dhe relaksim gjenin tek gjërat e tilla, tani nuk mund të thuhet plotësisht e njëjta gjë.
Vita Kasapolli, si një qytetare e cila është aktive pothuajse në të gjitha aktivitetet kulturore të cilat i zhvillon komuna e Pejës e jo vetëm, tregon për KosovaLive se nuk ka më entuziazëm të njëjtë siç ka pasur më përpara. Teksa tregon për përvojat e saj në diskutimet publike, festivale, workshop-e e shumë aktivitete të tjera para situatës pandemike, ajo shfaq emocione të hareshme të cilat nuk u shfaqën gjatë diskutimit mbi gjendjen aktuale.
“Nuk di ta përshkruaj çfarë ndjenje e mirë është të jesh pjesë e çdo nisme dhe organizimi kulturorë. Nuk kam munguar në asnjë prej tyre, përveç rasteve kur kam pasur diçka urgjente. Ndërsa tani, nuk kam më interes dhe nuk më ngjall ndjenjën e njëjtë kur çdo gjë po organizohet online. Dua poashtu të them se më duket pak si e vështirë ringjallja e menjëhershme, do marrë pak kohë mendoj unë”, thotë ajo.
Kasapolli poashtu tregon se është e zhgënyer edhe nga vet bashkëvendasit e saj. Ajo potencon se ka aktivitete por interesimi nuk është në nivelin në të cilin duhet të jetë.
“Ka mjaft njerëz që bëjnë aktivitete, nuk ka njerëz që t’ju bashkangjiten. Por nuk i lë në faj sepse mungon shumë informimi”, shton ajo.
Krenare Lika
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.
Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.