Komuna e Kamenicës, viteve të fundit është zbukuruar edhe nga një numër i konsiderueshëm i muraleve të punuara si rezultat i bashkëpunimeve të komunës me organizata e artistë të ndryshëm.
Komuna e Kamenicës po ashtu është bërë edhe pjesë e festivalit të artit publik MuralFest. Në këtë vit në Kamenicë janë përfunduar edhe tre murale të tjera të punuara nga artistë ndërkombëtar.
Njëri nga muralet i cili është realizuar këtë vit nga artisti barcelonas Slim Safon, ka qenë i inspiruar nga fotografia e fotografit vendas Arian Mavriqi.
Realizimi i këtij murali ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe MuralFest Kosovo.
Arian Mavriqi thotë se ishte kontaktuar personalisht nga drejtoresha e MuralFest Kosovo, për të marrë leje ekskluzive për përdorimin e fotografisë së tij si ide për mural.
’’Po, jam kontaktuar fillimisht nga Lebibja edhe kanë marrë lejen për të drejtën ekskluzive nga ana ime për të pikturuar këtë fotografi timen dhe u dakorduam. Thash pse jo,’’ tha Mavriqi për KosovaLive.
Artisti Safont këtë mural e ka quajtur ’’Trashëgimia’’. Fotografi Mavriqi pohon se fotografia ka qenë e realizuar krejt rastësisht në fshatin Bllatë.
Edhe dy murale të tjera të cilat janë realizuar në Kamenicë gati se në periudhë të njëjtë kishin qenë bashkëpunim mes DKRS-së dhe MuralFest.
Në këto dy murale po ashtu kanë punuar edhe dy artistë të tjerë të huaj, Pablo Astrain dhe Jabi Corte. Ky projekt ka qenë në bashkëpunim me Artistic Comunnion, MuralFest Kosovo dhe nën financimin e UNMIK-ut.
Murali i parë i cili është realizuar nga Corte është quajtur ’’Joung Roots’’ duke portretizuar kështu një rini shumë etnike dhe me prapavija të ndryshme.
Kurse murali i dytë i realizuar nga artisti spanjoll Astrain, është përshkruar kësisoj: “How to progress as a young country by pushing all together in the same direction to go out of the traffic jam”.
Të dy këto murale gjenden tek tashmë bulevardi në ndërtim i Kamenicës duke e bërë atë pjesë të pasur dhe me shumë ngjyra.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kamenicës, Arianit Ibrahimi ka thënë për KosovaLive se po planifikohet e po punohet që të ketë edhe murale të tjera që do të realizohen qoftë në hapësirat publike por edhe nëpër institucionet shkollore në Kamenicë.
’’Me MuralFest kemi një memorandum bashkëpunimi, ne duke inkorporuar artistët e rinjë nga Kamenica në projektet e tyre, dhe ata duke gjetur hapësirë për muralet e bukura në Kamenicë,’’ tha Ibrahimi.
Një mural tejet i bukur ka zënë edhe hapësirën më të madhe të Shtëpisë së Kulturës ’’Isa Kastrati’’ në Kamenicë, madje është bërë edhe destinacioni kryesor për realizimin e fotove nga të gjithë. Ky mural është realizuar në vitin 2018 për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Murali është punuar nga artistë të rinjë nga komuna e Kamenicës, nën udhëheqjen e drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Arianit Ibrahimi. Në mural po ashtu kanë kontribuar edhe artistë nga komuniteti serb dhe romë që janë të angazhuar në organizatën KRIK.
’’Murali ka edhe një mesazh brenda vetes, ne kemi një rini mjaftë akitve, që me pak mbështetje ka filluar të bëjë gjëra të mëdha. Kemi një rini të palodhshme dhe gjithmonë punëtore siç është edhe bleta, këtë e kemi portretizuar edhe në mural,’’ tha Ibrahimi.
Ai po ashtu shtoi se në komunën e Kamenicës veprimtaria e bletarisë është shumë e zhvilluar, gjë që i shtonte edhe një arsye bindëse kuptimit të muralit.
Në këtë mural ka qenë i angazhuar edhe artisti Kastriot Imeri. Ai në një intervistë për KosovaLive ka thënë se është ftuar nga Ibrahimi për të qenë pjesë e grupit punues. Kryesisht puna e tij ka qenë në pikturimin e pjesës së bletës në mural dhe nuk ka pasur shumë bashkëpunim me artistët e tjerë. Por rezulati final ka qenë i mirë.
’’Mendoj se Kamenica ka nevojë ende për murale, dhe po ashtu do të angazhohesha prapë në projekte të ngjashme,’’ thotë Imeri.
Edhe Besa Mehmeti, artiste me profesion ka qenë e angazhuar po në të njëjtin mural. Ajo ka thënë se ka qenë e kënaqur me angazhimin e saj në këtë projekt.
’’Si mural ka qenë shumë i përshtatshëm për vendin ku është paraparë, dhe prapë në projekte të tilla do të angazhohesha me dëshirën më të madhe,’’ tha Mehmeti.
Mihane Ahmeti, një artiste tjetër e angazhuar në këtë projekt thotë se përzgjedhja e saj ka ardhur si rezultat i angazhimeve paraprake që ka pasur në komunë.
’’Sa i përket idesë, kemi punuar në grup dhe kemi dashur të krijojmë diçka që përcjell mesazh tek të rinjët, siç e kemi zgjedh edhe bletën si objekt kryesor për arsye që bleta cilësohet si punëtore”, tha Ahmeti.
Në këtë mural kanë punuar po ashtu edhe artistë nga komunitetet romë e serbë.
’’Arsyeja e zgjedhjes së komuniteteve ka qenë e profesor Arianitit, si qëllim që mos t’i ndajmë artistët në bazë komuniteti apo diçka tjetër, të gjithë jemi të barabartë,’’ shtoi Ahmeti.
As Mihanja nuk e përjashton mundësinë e angazhimit të sërishëm në projekte të tilla nëse kërkohet kontributi i saj.
Një mural simbolik por mjaftë domethënës zë vend poashtu në objektin e Shtëpisë së Kulturës. Ky mural është punuar nën udhëheqjen e Dorentina Maliqit dhe me punën e palodhshme të artistëve Kastriot Imeri dhe Amir Kryeziu.
’’Ky mural ka qenë i financuar nga CEL Kosova,’’ tha Maliqi.
Ajo ka shtuar po ashtu se ideja të cilën mundohet ta përcjell murali mund të shihet në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Por ideja kryesore ka qenë portretizimi i jetës së një anëtari të grupit LGBTIQ+ në vendin tonë. Se si çdo ditë ndihen në izolim por që duhet thyer normat sociale dhe pranuar identitetin seksual pa marrë parasysh gjykimet e njerëzve.
’’ Gjithashtu ka pas tendencën me e përshkru një grua në një shoqëri patriarkale si kjo e jona, se si ndihet e privuar prej shumë të drejtave edhe se si ajo mund të thyejë tabutë e shoqërisë, duke ngritë zanin e saj dhe duke dal prej asaj flluskës së rehatisë dhe detyrave që shoqëria i ka përcaktu,’’ shton Maliqi.
Edhe një mural tjetër që i shtohet kësaj liste është murali i punuar nga artistja Mimoza Rraci. Murali ka qenë i financuar nga USAID si dhe me mbështetje të Zeropositive.
’’Përzgjedhja ime si artiste për realizimin e këtij murali nuk ka qenë e rastësishme, por ka shkak sygjerimin nga po kjo kompani ku unë jam e angazhuar kohë pas kohe,’’ rrëfen Rraci.
Rraci shtoi se muralet janë të lidhura me historinë e njerëzimit, në kohët e mëparshme kanë shërbyer si mjet komunikimi e të tillë po mundohemi t’i trajtojmë edhe në ditët e sotme. Këtë herë duke u ndërlidhur me temën e projektit “Imagine Kosovo” janë realizuar për të sjellë mesazhe pozitive, për të dhënë shpresë e lumturi për secilin vizitor.
’’Pata rastis ta shoh një shfaqje ‘Edhe muret flasin’ e nuk është e thënë kot, sepse murit i mjaftojnë disa ngjyra të lidhura bukur mes vete që të arrijë të komunikojë,’’ shton Rraci.
Ajo po ashtu shtoi se mezi pret iniciativa të tilla, pak mure, pak ngjyra, pak art e shumë mesazhe të bukura përmes tyre.
Muralet e tilla të realizuara me kaq dashuri nga artistët i kanë shtuar ngjyra Kamenicës. Projektet e tilla do të vazhdojnë pasi që edhe artistët pajtohen se Kamenicës i duhen edhe më shumë ngjyra.
Lidiona Marovca
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.
Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.