Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pandemia“ua vodhi”pjesën më të mirë studentëve – studimet “normale”

Nën 17, 2020

Shoqëritë dhe sfidat ndër më të ndryshmet e kanë përcjellë gjithmonë jetën studentore, duke e bërë atë një ndër periudhat më të veçanta të jetës. Krijimi i një shtëpie të dytë, të mësuarit në bankat afër të cilave do kesh persona qe si ke parë asnjëherë e që mbase një ditë do të jenë shoqëria jote më e mirë, do të mbeten gjithmonë një ndër përjetimet që nuk do mund t’i kesh përsëri.

Bleona Kurteshi, tani studente e vitit të tretë në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, tregon që jeta studentore për të është një etapë brenda të cilës rritesh dhe mëson shumë e që është edhe sfidë në vete. Një ndër vështirësitë e saja në fillim ishte përshtatja me një vetë-disiplinë dhe rigorozitet sepse tashmë, primare për të është studimi dhe përqendrimi në  mësim.

 “Periudha e jetës studentore shquhet për vështirësi, pamarrë parasysh faktin nëse je student në Kosovë apo diku tjetër. Studentët, në një mënyrë, janë pjesa më e ndishme e shoqërisë sepse çdo gjë reflekton dhe ndikon mbi gjendjen e tyre.  Problemi më i madh është se studentët rrallë herë trajtohen si të tillë. Shpesh herë mungon një përkrahje nga strukturat  më të larta për studentët.” thotë ajo.

Dikur Bleona ndjekte ligjëratat qysh nga mëngjesi e deri pasdite, e situata e krijuar nga pandemia tanimë e ka privuar nga të mësuarit në këndin e saj të preferuar, aty në fundin e sallës së fakultetit, kënd në të cilin ajo shpreson që do të kthehet së shpejti.

“Ka qenë periudhë shumë e çuditshme dhe mërzitshme, më kanë munguar miqtë, interaksioni dhe dinamika gjatë ligjëratave, planet momentale me shoqëri për shëtitje apo aktivitete tjera. Më është dukur shumë i çuditshëm fakti që për provime jam përgatitur në shtëpi sepse jam mësuar në atë këndin tim”, shton ajo

Sipas Fondit Ndërkombëtar të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), pandemia COVID-19 ka prekur më shumë se 91% të studentëve në të gjithë botën, me rreth 1.6 miliardë fëmijë dhe të rinj kishin pamundësi të ndjekjes fizike të shkollës për shkak të mbylljeve të përkohshme dhe bllokimeve.

Jo pak studentë detyrohen të gjejnë punë gjatë kohës së studimeve në kryeqytetin e Kosovës, meqë kushtet financiare u pamundësojnë të jetuarit dhe të studiuarit njëkohësisht.

Studenti i gazetarisë, Selim Miftari thotë se angazhimi në punë gjatë studimeve ka ndikuar që produktiviteti dhe rezultatet në studime t’i bien.

“Problem kyç me të cilin përballen shumë student është edhe të studiuarit dhe njëkohësisht të punuarit në ndonjë vend pune, qoftë duke punuar në profesion apo edhe në ndonjë punë tjetër. Nga përvoja ime personale mund të them se është një kohë e stërngarkuar kur isha duke punuar për një agjenci të lajmeve. Ishte një kohë e stërngarkuar kur isha duke punuar dhe njëkohësisht studioja”, thotë ai.

Edhe për Selimin krijimi i shoqërisë dhe koha e gjatë studimeve është pjesa e preferuar e tij, pjesë e cila i ka munguar më së shumti tani gjatë muajve të pandemisë.

 “Interesante dhe pjesë e mirë është mbledhja dhe organizimi me shoqërinë për lexim ose diskutime. Gjëja që më ka munguar më së shumti gjatë pandemisë është takimi me kolegët por njëkohësisht edhe me profesorët”, tha ai.

Studentët kosovarë janë të privuar nga mundësia e punësimit brenda kampusit të fakultetit, sikur është praktikë për shembull në universitetet amerikane. Kjo, sidomos, për studentët që vijnë nga vendet e tjera, shërben si ndihmesë për shpenzimet dhe njëkohësisht ju ofrohet mundësia të punojnë për atë se cfarë atyre ju nevojitet ose ju intereson.

I riu Betim Llapashtica i cili tash mbi dy vjet studion jashtë kufijve të Kosovës, larg familjes dhe larg shoqërisë që dikur kishte në Prishtinë, tash është bërë “mysafir” edhe për prindët e tij në Kosovë. Si student për master në kontabilitet dhe financa, në Turqi, për të sfida më e madhe e të studiuarit është mosdhënia e ndonjë provimi sepse, për dallim nga studimi në Kosovë, ekziston vetëm një mundësi e përsëritjes.

“Sfidat e të qenit student në të dy shtetet janë përafërsisht të njëjta. Ka shumë studentë të cilët ndërrojnë qytetin ku jetojnë për të studiuar, dhe që detyrohen të punojnë njëkohësisht për t’i mbuluar shpenzimet e ndryshme. Studentët në Turqi kalojnë më tepër kohë duke lexuar dhe studiuar, se sa studentët në Kosovë“, thotë ai.

Studimi në një vend më të zhvilluar se Kosova i jep mundësi Betimit të bëjë dallimin mes Pamukkalës dhe Prishtinës, nis nga raportet profesor-student, të cilat në Universitetin e Pamukkalës ku ai studion janë më të ftohta, e deri te mungesa e pakrahasueshme të hapësirave për studim në Kosovë.

“Jeta studentore në Kosovë dhe ajo në Turqi, më tepër se ngjashmëri, ka dallime. …Dëshira ime do te ishte që studentëve të Kosovës t’u ofroheshin kushte më të mira, t’u ofroheshin më tepër bursa dhe shuma e bursave të rritej. Do te doja që të kishte më tepër qendra rekreative, më tepër aktivitete, më shumë hapësira funksionale brenda institucioneve universitare, më tepër literaturë…”, thotë ai.

Duke e ditur se jo të gjithë studentët e kanë mundësinë e banimit në Qendrën Studentore në Prishtinë apo banimit me qira atje, detyrohen që të udhëtojnë prej vendit ku jetojnë në Prishtinë.

Shqetësimi i Goneta Ademajt, studente e Fakultetit të Filozofisë është çmimi i biletës së autobusit të cilin jo të gjithë studentët mund ta përballojnë, gjë që u shkakton ngecje në studime, sidomos  mungesa në ligjerata.

“Si çdo periudhë e jetës edhe kjo i ka veçantitë e veta, e në to hynë edhe disa vështirësi duke marrë parasysh faktorë të shumtë si gjetja e literaturës, preokupimi për vendbanim dhe ushqim në qendrën studentore, banesa etj., si dhe pagesa që duhet bërë për to.” tha Ademaj.

Por, për Goneten sfidat janë veçse pjesë e studimeve dhe pa to nuk mund të quhet jetë studentore.

Lumnije Lokaj-Qorraj, nënë e tri studenteve thekson se vështirësitë më të mëdha janë atëherë kur ke në përgjegjësi jo një por tre studentë, madje më e mundimshme për të është kur roli i dy prindërve qëndron mbi supet e saj.

“Të rrisësh e të shkollosh  fëmijë në kushtet dhe ambientet e duhura çdo herë është sfidë. Sfidë ekonomike, por ndonjëherë më e madhe se sfida ekonomike ishte ajo emocionale”, shtoi Lokaj-Qorraj.

Sfidat dhe problemet që hasë një student nganjëherë  janë të pa përballueshme. Rinesa Qorri, aktualisht studente e vitit të tretë të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thekson se nevoja e posedimit të librave është e pashmangëshme. Në raste kur në disa lëndë një libër është i pamjaftueshëm, rritja e sasisë së librave dhe çmimi i tyre ndonjëherë është papërballueshëm për të si studente.

“Ndonjëherë për ta lehtësuar gjendjen tonë, për të mos pasur ngarkesa të mëdha finaciare, kemi raste kur profesorët me mjetet e tyre vetanake sigurojnë librat për lëndën e tyre dhe i shpërndajnë te ne”, thotë ajo.

Pamundësia e përmbushjes të të gjithave obligimeve gjatë studimeve shumë herë i detyron studentët t’i lënë ëndrrat e tyre në gjysmë.

Muhamet Jahiri, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës më shumë se një dekadë, thekson se gjatë këtyre viteve ka hasur në shumë raste kur studentët nuk kanë pasur mundësinë për të siguruar literaturën. Mirëpo, profesorët e këtij departamenti të cilët ligjërojnë nga librat e tyre i kanë shpërndarë ato falas çdo vit të ri akademik, për studentët që nuk kanë mundësi financiare.

“Tashmë studentët e gazetarisë një pjesë të librave e kanë në formën (pdf), dhe si të tillë e përdorin për përgatitjet e tyre profesionale dhe akademike. Gjithashtu kemi pas edhe raste kur në mesin e studentëve kemi pas edhe të tillë që kanë pas nevojë për literaturë të veçantë dhë në bashkëpunim me grupe të ndryshme iu kemi siguruar literaturë edhe kësaj kategorie në mënyrë që të jenë të barabartë në studime”, shton Jahiri.

Sipas tij, aktualisht mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është digjitalizimi i librave në bibloteka dhe universite, dhe vendosja e tyre në shërbim të studentëve.

“…këtu nuk përjashtohet edhe prezenca e librit të shtypur për pjesën që do të kishin mundësi që t’i siguronin ato. Libri në sirtare të bibliotekave, sot, për mua mund ta quaj figurativisht është i ‘burgosur’, dhe i papërdorshëm siç ka qenë para epokës digjitale”, shtoi ai.

Diamant Ferataj, student nga Prishtina thotë se mësimi online po e vështirëson nxënien e mësimeve, meqë për të mësimi online nuk po është njejtë si të jesh i pranishëm në ligjerata në fakultet.

“Situata siç është tash në kohën e pandemisë është problem, se online nuk po arrij t’i ndjekë ligjeratat sa kemi mujt kur kemi qenë në fakultet, por po shpresoj që ndreqet sa më shpejtë”, thotë Ferataj.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA) për shpenzimet e studentëve të Universitetit të Prishtinës në vit, rezulton se një student mesatarisht harxhon 150 euro në muaj, me minimum 25 dhe maksimum 400. Por, këto shpenzime varen nga kategoritë që i përkasin studentët dhe vitit të studimit.

Studentët që shpenzojnë më pak gjatë muajit janë studentët që udhëtojnë çdo ditë për Prishtinë, kostoja e tyre shkon deri në 129.31 euro përderisa, studentët që shpenzojnë më së shumti në muaj janë ata të cilët banojnë me qira në Prishtinë shpenzimet e të cilëve arrijnë deri në 220.23 euro.

Albina Selmanaj

Për autorin/en:

Albina Selmanaj, është studente në vitin e tretë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është pjesë e trajnimit “Internship & Mentorship 2” në KosovaLive. Meqenëse tashmë ka filluar vitin e fundit të studimeve në gazetari dhe shumë shpejtë do të merret profesionalisht me gazetarinë, është e interesuar të angazhohet profesionalisht dhe t’i dedikohet trajtimeve të çështjeve që e okupojnë gazetarinë.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM