Gjuha shqipe konsiderohet si një ndër gjuhët më të vjetra në Ballkan, ndonëse alfabeti shqip është krijuar vetëm më 1908. Dokumentet e para të shkruara në gjuhën shqipe datojnë nga shekulli XIV, kurse rregullat kryesore të drejtshkrimit që i përdorim edhe sot, u vendosën në Kongresin e Drejtshkrimit, që u mbajt në Tiranë, prej 20 deri më 25 nëntor të vitit 1972.
Për shkak të gramatikës së saj, gjuha shqipe cilësohet si ndër gjuhët më të vështira për t’u mësuar. Madje, Instituti i Shërbimeve të Huaja për renditjen e gjuhëve sipas vështirësisë, gjuhën shqipe e vendos në kategorinë e 4-të, duke e vlerësuar atë në mesin e gjuhëve për të cilë një folësi anglez do t’i duheshin 44 javë ose 1100 orë për t’a mësuar, bashkë me armenishten, maqedonishten, finlandishten, gjuhën boshnjake, atë bullgare, greke e të tjera, për shkak të shenjave të veçanta dhe ndryshimeve kulturore nga anglishtja.
Por, edhe 112 vjet pas hartimit të alfabetit dhe 48 vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, gjuha shqipe akoma po paraqet problem për të rinjtë e Kosovës, të cilët shqipen e kanë gjuhë amtare. Gramatika dhe drejtshkrimi janë pika e dobët e tyre.
Arsimtarja e gjuhës shqipe në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, Zoge Gacaferri Shehu, vlerëson se të rinjtë e njohin dhe e respektojnë shumë pak standardin e gjuhës shqipe, ndërsa jep edhe disa arsye pse ndodh kjo.
“Arsyet janë të shumta, si psh: shkrimi elektronik që kërkon një shpejtësi komunikimi, mos leximi i librave, trendi i tyre që të flasin një gjuhë vulgare (të perzier me fjalë të huaja)”, thotë ajo, derisa e cilëson si të rëndësisë parësore për të rinjtë respektimin e rregullave drejtshkrimore, sepse, sipas saj, kështu e dëshmojnë kulturën e tyre të shkrimit.
Kundër përzierjes së shqipes me gjuhët tjera është edhe arsimtarja tjetër e gjuhës shqipe në këtë gjimnaz, Igballe Gjikolli e cila thekson se gjuha është baza e shfaqjes së identitetit te individit, por megjithatë komunikimi që po bëhet sot lë shumë vend për përmirësim.
“Shkurtesat që po përsëriten shumë e tepër, madje përzierja me shprehje të huaja, më shqetëson tek gjenerata e re. Vlerësoj gjuhët e ndryshme si pasuri te njohësit e tyre por jo përzierjen”, thotë Gjikolli.
Sipas Elsona Muhadrit, studente e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, kjo përzierje e gjuhës me shprehje të huaja po bëhet me qëllim, nga dëshira për të qenë më interesant.
“…Të rinjtë e konsiderojnë veten në trend nëse përdorin edhe këto përzierjet e gjuhëve, mirëpo për mua është e pa pranueshme, sidomos kur e dëgjoj edhe nga profesorët …”, thotë ajo.
Studentja nga Gjakova e pranon se edhe ajo vetë ka probleme me rregullat e gjuhës, por tani në fakultet, po u kushton më shumë rëndësi.
“(Kam probleme) edhe me gramatikën edhe me drejtshkrimin, sepse nuk më është tërhequr vërejtja ndonjëherë, për shembull nga arsimtarët, për gabimet drejtshkrimore sidomos. Tash (në fakultet) kam filluar t’i përmirësoj ato dhe t’i kushtoj më shumë vëmendje”, tregon Muhadri.
Ndryshe nga arsimtarët e gjuhës, mendon gjuhëtari dhe njëkohësisht administratori i faqes së Facebook-ut, “Vërejtje dhe rregulla gramatikore”, Ilmi Rexhepi. Ai tregon se së fundmi është shtuar interesimi i të rinjëve për njohjen e gjuhës shqipe dhe zotërimit të rregullave të saj.
“Këtë vlerësim po e bëjmë mbi bazën e ndërveprimit me ta nëpërmjet faqes sonë ‘Vërejtje dhe rregulla gramatikore’, e cila ka 6 vjet që merret me çështje të kulturës së gjuhës. Marrja me punë që kryhen nëpërmjet shkrimit, përdorimi pozitiv i rrjeteve sociale, njohja e gjuhëve të huaja… janë kryesoret që kanë ndikuar për të mirë sa u përket interesimit dhe zotërimit të shqipes”, vlerëson Rexhepi.
Ai thekson se gabimet më të mëdha dhe më të pafalshme bëhen me kalket sllave, të cilat sipas tij e “shpërfytyrojnë gjuhën shqipe”, ndërsa për rregullat e drejtshkrimit të fjalëve, Rexhepi thotë se mund mësohen më lehtë.
“…Lajmërohem (në vend se: paraqitem), shtëpia në shitje (në vend se: shtëpia shitet), konferencë për shtyp (në vend se: konferencë për shtypin), përgjigjem në pyetje (në vend se: i përgjigjem pyetjes)… Pas këtyre vijnë trajtat e ‘shpikura’ të fjalëve dhe ndërtimet ‘e shpikura’ sintaksore. Nga trajtat e shpikura të fjalëve është trajta ‘pasi që’, nuk ka në gjuhën shqipe lidhëz (lokucion lidhëzor) ‘pasi që’ e as ‘mbasi që’, ka ‘pasi’ dhe ‘mbasi”, vazhdon Ilmi Rexhepi.
Arsimtarja Gacaferri Shehu thekson se gabimet më të shpeshta janë në shkrim, derisa rendit edhe faktorët që ndikojnë të bëhen këto gabime.
“Gabimet më të shpeshta janë në shkrim, kur nuk respektohen rregullat si për shembull për shkak të një pike apo pikëpyetjeje, apo trajtat e shkurtëra të përemrave bëjnë që edhe fjalitë pastaj të mos jenë të renditura me një kuptimësi. …Ndikojnë shumë faktorë: shoqëria, mos leximi, gjuha e ‘kullerizmit’, kur fjalët kthehen mbrapsht si ‘modë’ psh: op, in, party, weekend, e fjalë të huaja që kanë zënë vend në fjalor”, shton ajo.
Ajo vë theksin edhe tek përdorimi jo i drejtë i foljes “jap”, për të cilën thotë se po u përshtatet të folurave lokale, varësisht nga regjionet, gjë të cilën e konsideron si të keqen më të madhe të “kësaj shoqërie postmoderne”.
Rol të rëndësishëm në krijimin e një baze të fortë në njohjen e rregullave të gjuhës shqipe, sigurisht që kanë edhe mësimdhënësit, sidomos ata të gjuhës amtare gjatë gjithë ciklit të shkollimit të një njeriu e posaçërisht gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm.
Edhe gjuhëtari Rexhepi e konsideron rolin e mësimdhënësve si kryesor.
“(Roli) i të gjithëve, por më së shumti i mësimdhënësve të shkollës fillore dhe i atyre të gjuhës shqipe”, thotë ai, derisa shton se mësimdhënësit duhet të bashkëpunojnë dhe të përfitojnë nga përvojat e njëri-tjetrit, në mënyrë që nxënësve njohuritë gramatikore të gjuhës shqipe t’u shpjegohen më thjeshtë se në libra.
Rexhepi vë në pah edhe rolin e madh edhe të medias në këtë drejtim. Ai mendon se gabimet e të rinjëve, në origjinë, pos që janë gabime të mësuesve e librave të tyre, janë edhe të fytyrave publike dhe medieve.
“Duke mbajtur parasysh sa shumë lexohen, dëgjohen e shikohen mediet në këtë kohë, mund të thuhet që sot mësuesit më të mëdhenj të gjuhës janë mediet. Shumëkush, për rregullat e gjuhës e sidomos për drejtshkrimin, ka mësuar dhe mëson më së shumti nëpërmjet medieve. Të flasin e të shkruajnë drejt mediet, do të thotë ta përvetësojnë gjuhën saktë qytetarët”, thotë ai.
Edhe arsimtarja Zoge Gacaferri Shehu, e vlerëson si shumë të rëndësishëm dhe dominant rolin e mësimdhënësve, si dhe të mediave në zotërimin e promovimin e rregullave të gjuhës standarde shqipe.
“Të gjithë mësimdhënësit duhet t’i zotërojnë rregullat e drejtshkrimit e të komunikimit të qartë, e jo vetëm mësimdhënësit e gjuhës shqipe. Roli i mediave duhet të jetë më dominanti, sepse aty duhet të jenë ata që flasin gjuhë standarde”, përfundon ajo.
Diellza Kabashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.