Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shëndeti mendor ende përcillet me paragjykime

Dhj 13, 2021

Kishte dëgjuar për herë të parë fjalën ‘psikolog’ kur ishte pesë vjeçe në një shkollë të improvizuar në Ksamil (Sarandë), gjatë kohës sa po qëndronte si e dëbuar nga vendi në kohën e luftës së fundit në Kosovë. Sot A.A është ndër personat që ka pasur nevojë të konsultohet me psikologun, siç thotë ajo, në fillim për neuroza e më vonë edhe për çrregullime me ankthin dhe depresionin.

E pyetur nëse ka qenë e ndikuar nga paragjykimet shoqërore lidhur me vizitën tek psikologu ajo shprehet se është përballur me të tilla paragjykime.

“… nisemi prej logjikës më të thjeshtë paragjykimet vijnë së pari nga rrethi i ngushtë e pastaj ai i gjerë. Personalisht rrethin e gjerë e nënkuptoj më ndryshe, jo vetëm brenda kufijve të vendit. Si mësimdhënse e gjuhës gjermane, duke njohur edhe për së afërmi kulturën e një populli tjetër, shoh që ata janë shumë më të përparuar se ne në këtë aspekt. Ata e shohin ndryshe kur vie puna tek psikologu dhe paragjykimet për shëndetin mendor”,- thotë A.A.

Profesioni i psikologut shkon duke u qartësuar çdo ditë e më shumë por ne si shoqëri,  si kolektiv sa po ju bëjmë ballë paragjykimeve e sa po i lejojmë këto paragjykime të na udhëheqin kur flasim për shëndetin mendor? Kjo është një pyetje, përgjigjen e  të cilës e mbajmë vath në vesh por që refuzojmë ta praktikojmë në jetën tonë.

Sipas A.A, profesioni i psikologut është ndër profesionet më të dobishme të një shoqërie moderne, kjo për arsye që, siç thotë ajo, njerëzit vazhdimisht po atakohen nga faktorë të ndryshëm që po e nxisin stresin çdo ditë e më shumë duke pasur parasysh edhe dinamikën e jetës sot.

Shëndeti mendor vazhdon të mbetet term i pavarur nga termi paragjykim në Kosovë. Është vështirë e perceptueshme se si shoqëria mbetet ende indikatori kryesor pse njerëzit ngurrojnë të kërkojnë ndihmë nga psikologu. Sot në Kosovë jetojnë njerëz që e pranojnë që kanë pasur nevojë për konsulta me psikologun por për shkak të paragjykimeve të rrethit të ngushtë nuk kanë kërkuar fare ose kanë kërkuar me vonesë ndihmë tek psikologu.

Përpjekje të shumta për të ndërgjegjësuar qytetarët për rëndësinë e shëndetit mendor bëhen nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të shumta.

Psikologu Ilir Havolli, njëherit kryetar i kësaj shoqate në një bisedë për KosovaLive thotë se kohëve të fundit është shënuar një ngritje e vetëdijësimit të njerëzve për konsulta me psikologun.

Ne gjatë tërë vitit organizojmë aktivitete të ndryshme për sensibilizimin e shoqërisë për rolin dhe rëndësinë e psikologut, ndërsa për çdo vit me datë 10 tetor organizojmë edhe kongresin ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja” e cila shpalos arritjet dhe sfidat që përballemi në sferën e shëndetit mendor. Popullata ka arrirur që të kaloj barrierën që dikur e ndante që të fillonte dhe të kërkonte një komunikim me psikologun”,  thotë psikologu Havolli.

Si arsye më të shpeshta që njerëzit e vizitojnë psikologun në Kosovë ai përmend frikën, stresin, antkhin, që janë më të zakonshmet e deri tek problemet në çift.

Edhe përmes artit lehtësisht përçohen mesazhe të cilat kanë në fokus paragjykimet lidhur me shëndetin mendor. Në vitin 2016 ishte mbajtur një ekspozitë e fotografisë në Galerinë “Kalo” në Tiranë e titulluar “Fotografia e 21-të”, ekspozitë e cila përmbante 20 portrete bardhë-e-zi. Punimet e artistës Ted Misha me kuratore Hana Qena kishin për qëllim vënien në pah të paragjykimeve lidhur me shendetin mendor. 

Sipas njoftimit të Qendrës Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike, kjo ekspozitë me 20 portrete bardhë-e-zi është konceptuar si një mundësi për të njohur atë që nuk dimë, për të zbuluar veten, stigmën dhe paragjykimet mbi shëndetin mendor.

Sociologu Labinot Konushevci, konsideron se paragjykimet krijohen nga mënyra e gabueshme e të menduarit, duke mos u bazuar në fakte ose argumente mbi një çështje të caktuar. Poashtu ai një theks të veçantë e vë tek fakti së njerëzit duhet të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit lidhur me reagimin që shoqëria ka ndaj nesh, ku në fakt kemi të bëjmë me paragjykim dhe bullizim shoqëror.

“Paragjykimet nuk thyhen lehtë. Ato burojnë edhe nga iluzionet që i krijojmë ne, nga propaganda mediale, senzacioni medial. Beteja me paragjykimet është luftë me vetëdijen shoqërore kulturore, me kulturën publike, ku vetëm përmirësimi i cilësisë së arsimit publik dhe funksioni edukativ medial mund të ndikojë në trajtimin human dhe real të raporteve dhe ngjarjeve shoqërore”, shprehet Konushevci.

E me paragjykimet sa i përket shëndetit mendor, përballen të gjitha shoqëritë anekënd botës, diku më pak e diku më shumë. Në një artikull të botuar në gusht të 2020-ës, lidhur me shëndetin mendor dhe paragjykimet nga shkrimtarja e pavarur Libby MacCarthy, tregohen edhe disa arsye se pse paragjykimet ndikojnë dhe e kanë rëndësinë e vet kur vie puna tek shëndeti mendor. Ajo shpjegon së kur njerëzit hasin në paragjykime ndjejnë turp për sëmundjen e tyre dhe përpiqen ta fshehin atë, kjo do të thotë se jo vetëm që gjendja e tyre nuk përmirësohet por edhe shëndeti i tyre fizik mund të ndikohet gjithashtu.

Gjatë periudhës së pandemisë me Covid-19, gjendja emocionale e njerëzve ka qenë më e rënduar, andaj disa organizata dhe kompani i kanë kushtuar rëndësi mirëqenjes së stafit të tyre. Në Kosovë, Rrjeti i grave të Kosovës (RrGK), përmes një publikimi në webfaqen e tyre kishte treguar se organizata e tyre ofron seanca psikoterapike falas stafit të tyre. Duke vënë në fokus faktin që kjo periudhë ka qenë specifikisht më e vështirë për të gjithë.

Nga “Linja e Jetës”, një linjë  kjo telefonike për parandalimin e vetëvrasjes, thonë se brenda një viti pranojnë mbi 3 mijë telefonata nga njerëzit që kanë nevojë të bisedojnë me dikë. Kjo linjë telefonike, edhe e specializuar në parandalimin e vetëvrasjeve, ofron edhe mbështetje emocionale për njerëzit duke qenë të gatshëm të dëgjojnë secilin individ që i telefonon. Por, sipas kësaj qendre, institucionet e vendit kanë përgjegjësinë e tyre në këtë drejtim.

Institucionet e kanë si përgjegjësi ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor për qytetarët e Kosovës. Konkretisht, ofrimi i shërbimeve psikologjike pa pagesë, zhvillimi i kampanjave avokuese etj. Në moment, resurset të cilat drejtohen në shëndet mendor janë fatkeqësisht shumë të vogla, dhe ka nevojë për ndryshim”, thonë në këtë qendër telefonike.

A.A që kishte kaluar nëpër sfidat me shëndetin mendor dhe paragjykimet sidomos nga rrethi i ngushtë, ka një mesazh për të gjithë ata që kanë kaluar përvojat e njëjta me të.

“Psikologu është i domosdoshëm dhe jo luks. Mos të harrojmë që nga individi krijohet një shoqëri e tërë dhe për një shoqëri të shëndoshë secili individ duhet të ketë botëkuptime të shëndosha pavarësisht çmimit, pavarësisht paragjykimeve. Psikologu është zgjidhja e duhur se fundja ajo çka psikologu na ndihmon të tejkalojmë janë pikërisht streset ankthet dhe depresionet që i shkaktojnë paragjykimet e vetë këtyre njerëzve të cilët ende nuk e dijnë rëndësinë e tij”, përfundon ajo.

Sipas mendimit të psikologëve, çfarë shoqëria mund të bëjë për njëri-tjetrin në rastet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, është të mos e gjykojnë por të mbështesin njëri-tjetrin dhe t’ia rikujtojë faktin se sikurse gjithçka që është kaluese në jetë, asnjë shqetësim dhe problem nuk zgjatë përgjithmonë. 

Donjeta Abazi

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM