Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku vizitoi ndërmarrjen publike “Trepça” Sh.A ku nga afër u njoftua nga inxhinierët dhe punëtorët të cilët parandaluan avarinë e kanosur prej motit të lig.
Goditjet e rrufesë dëmtuan dje largpërçuesit, duke lënë minierën e Stantërgut pa energji elektrike. Ekipet e Trepçës rivendosën furnizimin me rrymë dhe u kujdesën për të nxjerrë minatorët nga horizontet e nëndheshme.
Në takim me bordin e drejtorëve, kryesuesin Bahri Hyseni dhe u.d. kryeshefit Enis Abdurrahmani, zëvendësministri Mjeku u njoftua në hollësi për punën dhe sfidat e ndërmarrjes, sidomos rreth furnizimit me energji.
Zv. ministri Mjeku bisedoi me drejtorin e minierës, Behxhet Vinarci dhe me inxhinierin Enver Tahiri, që siguroi rikthimin e energjisë. Zëvendësministri vizitoi gjithashtu flotacionin e minierës për të parë nga afër kushtet e punës.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për zhvillimin e sektorit të minierave dhe forcimin e ndërmarrjeve publike, thuhet në faqen zyrtare të ME-së.