Build Skills with our trainings

Sign up now!

Rrezja pasionin për artin e shndërroi në një biznes të vogël fitimprurës

Maj 16, 2016

Është studente e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, por merret edhe me punime dore që dikur quheshin artizanate, e tani po u thonë “handmade”, me shitjen e të cilave i mbulon shpenzimet e studimit.

Prishtinasja Rreze Shala thotë se trendi i këtyre punimeve është në rritje e sipër, prandaj ka interesim si për t’i punuar ato, ashtu edhe për t’i blerë. Ajo tregon se bën punime dore tash e disa vite, të cilat në fillim i shfrytëzonte si aksesorë për vete ose për t’ia dhuruar dikujt, ndërsa më vonë filloi t’i shiste për të mbuluar shpenzimet e veta si studente.

“Për një kohë të gjatë kam bërë punime dore, fillimisht për veten dhe rrethin e ngushtë, ndërsa punime me porosi për të tjerët bëj prej dy vitesh. Qaforet që i bëja pëlqeheshin shumë dhe kështu filluan kërkesat edhe nga njerëzit e tjerë. Meqë krijimi i tyre më sillte kënaqësi, vendosa të krijoj qafore për shitje”, thotë ajo përKosovaLive.

Rreze Shala tregon se kishte pasion për artin, të cilin e shndërroi në një biznes të vogël fitimprurës. Që herët në rininë e saj është marrë me pikturë e më pastaj edhe me dizajn. Idetë e hedhura në letër është munduar t’i krijojë me materiale të ndryshme dhe në këtë drejtim nuk i ka munguar suksesi. Thotë se të gjitha idetë i burojnë nga pasioni për artin që e ka pasur qysh në vegjëli.

“Jam marrë një kohë të gjatë me art dhe krijimi i gjërave të reja e unike më sjell kënaqësi të veçantë e sidomos kur ato pëlqehen e përdoren nga të tjerët”, shprehet ajo.

Produktet që i ofron Rrezja janë qafore, vathë, byzylykë dhe kurora. Kostoja e tyre varet nga modeli, materiali dhe kërkesat speciale. Çmimet këtyre produkteve sillen prej 5 deri në 35 euro, çmime që ajo i konsideron si të volitshme për standardin ekonomik të kosovarëve.

“Zakonisht punimet e mia përmbajnë rruaza të thjeshta, kristale apo figura të ndryshme. Me të gjitha këto materiale që më duhen për të krijuar diçka interesante furnizohem në dyqanet brenda Kosovës. Përveç punimeve që i bëj vetë, punoj dhe punime me porosi. Ka klientë që kanë paraprakisht një ide dhe nga unë kërkojnë ta realizoj. Së pari konsultohemi. Ata japin sugjerimet e tyre dhe unë të miat. Dhe, kështu bashkë arrijmë të krijojmë gjëra të bukura”, thotë Shala.

Të gjitha punimet Rrezja i publikon si foto në faqen e saj në Facebook, Handmade-Rreze Shala. Përmes kësaj forme ajo kontakton me klientët dhe i shet punimet e saj, pasi që nuk ka mundësi të hapë një dyqan.

“Reklamimin dhe shitjen e kryej përmes rrjeteve sociale, përkatësisht Facebook-ut. Fotot janë të shoqëruara me çmimet dhe karakteristikat e produktit. Momentalisht këtë biznes e zhvilloj vetëm online. Edhe pse jam shumë e kënaqur në këtë formë, planifikoj që në të ardhmen ta zgjeroj biznesin duke e hapur dyqanin tim”, thekson ajo për KosovaLive duke shtuar se punimet “handmade” vlerësohen për shkak të unikalitetit dhe delikatesës së materialeve.

/Teuta Berisha – Vajzat ngrisin zërin/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM