Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka vizituar komunën e Tetovës.
Në komunën e Tetovës është pritur në takim nga kryetari Bilall Kasami, i cili e ka nderuar Presidenten Osmani me Çelësin e Qytetit, çmim ky që u dha për herë të parë nga komuna e Tetovës.
“E nderuar që vizitën në Tetovë ta filloj me Çelësin e Qytetit nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, një simbol i përkushtimit tonë të çdoditshëm për të qëndruar pranë bashkëkombasve tanë”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja ka vlerësuar rolin historik të Tetovës për shqiptarët gjithandej dhe ka falënderuar tetovarët që gjatë luftës në Kosovës, më 1998-1999 kanë hapur zemrat dhe dyert e tyre për t`i strehuar refugjatët kosovarë të dëbuar me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
“Tetova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, prandaj sot, së bashku me kryetarin Kasami, rikonfirmuam angazhimin tonë për kultivimin e mëtejshëm të raporteve tona të veçanta”, ka theksuar Osmani.
Në takim, ndër të tjera është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me komunat kosovare në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve nga të dy shtetet, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.