Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mediat dhe ekstremizmi: Dhënia e mesazhit të qartë, e jo krijimi i frikës e panikut

Jan 5, 2017

Rreth rolit të mediave në raportimin e dukurisë së ekstremizmit fetar sikur ekziston një vlerësim mbizotërues tek shoqëria civile: mediat janë ato që kanë dhënë një alarm të fortë që në Kosovë po ndodh diçka mjaft e rrezikshme.

Arbana Xharra, gazetare shumëvjeçare dhe kryeredaktore aktuale e të përditshmes “Zëri”, thotë se me ektremizimin fetar ka filluar të merret shumë më herët dhe shumë më parë se kur kjo çështje filloi të bëhet ndër kryetemat në media.

Duke konstatuar se lidhur me temën e ndjeshme të ektremizmit fetar nuk ka pasur hulumtime gjegjëse, ajo insiston se me këtë në media ishte dashur të merren ata që e njohin problematikën dhe që kanë ndjeshmëri ndaj saj.

Me fjalë të tjera, me këtë temë duhet marrë persona të cilët e njohin fushën, në të kundërtën mund t`i ipet konotacion tjetërfarë dhe mund të keqinformohet opinioni publik.

”Nuk është media ajo e cila duhet fajësuar, por është shteti i cili nuk u ka dhënë gazetarëve informacione të mjaftueshme”, thotë ajo për rastet e mundshme të keqinformimit apo keqinterpretimit.

Për Skender Përteshin, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mediat kanë luajtur një rol të dyanshëm, nganjëherë edhe mjaft negativ.

“Media më shumë iu ka dhënë hapësirë terroristëve të propagandojë urrejtje, të përhapin sa më shumë atë propagandën e vet dhe t’i rekrutojnë qytetarët tonë sesa kanë dashur të ofrojnë atë kundër-mesazhin e saktë që i kundërvihet ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit,” thotë ai.

Sociologia, Sibel Halimi konsideron se nuk mund të thuhet saktësisht se në çfarë roli është pozicionuar media, sepse edhe aty ka pasur qasje të ndryshme në kuadër të trajtimit të ekstremizmit fetar.

Duke konstatuar mungesë të një ndjeshmërie ndaj kësaj çështjeje, ajo thotë se krahas mediave të pakta që janë munduar ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe në mënyrën e duhur, ka pasur edhe të tilla që kanë keqinterpretuar dhe keqpërdorur këtë çështje për kalkulimet e tyre mediale apo për sensacion.

“Një bashkëpunim i mediave dhe organizatave të cilat merren me esktremizmin fetar do të ishte një kombinim jashtëzakonisht i rëndësishëm në mënyrë që të koordinohen dhe të bashkëveprojnë kryesisht në parandalimin, por jo në krijimin e sensacioneve të cilat do të fusnin frikë dhe panik te qytetarët”, përfundon ajo.

Serbeze Haxhiaj, gazetare në Radio Kosova, e cila po ashtu është marrë me këtë problematikë, e konsideron rolin e mediave si një faktor të rëndësishëm në luftën kundër ekstremizmit.

“Nëse merret piktura e përgjithshme e raportimit të mediave, unë them që rreziku nga ekstremizmi është raportuar,” thotë ajo duke mos mohuar faktin se në disa raste ka pasur shkarje në etikën profesionale të raportimit në media. “Ka pasur edhe nuanca të një lloj islamofobie por që ka qenë në nivel të vogël”.

Besa Ismaili, prodekane e profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame, thotë se mediat kanë një rol shumë të madh, por se ai ato do të mund të ndihmonin në përmirësimin e imazhit të krijuar po të përcilleshin aktivitetet e shumta të Bashkësisë Islame.

Për të, mediat duhet t`i shohin gjërat më nga afër, të jenë më profesionistë, ndërkohë që “disa nga mediat kanë qenë të papërgjegjshme në atë që kanë bërë.”

“Nuk mund të shkruhet një storie ulur në zyrë dhe pa biseduar me komunitetin islam, të shkruash për Bashkësinë Islame pa biseduar me askënd nga Bashkësia Islame. Edhe aq më keq të shkruajnë ndonjë lajm për vajzat që mbajnë shami pa u ulur dhe biseduar me to dhe pa i njohur kurrë ato. Çfarëdo pyetje që ato kanë ne jemi të gatshëm t`u përgjigjemi, pa pasur nevojë që ato të supozojnë apo t’i japin kësaj teme një diskurs i cili është global”, thotë Ismaili.

Një rol pozitiv i mediave, sipas Përteshit të QKSS-së, është që ato kanë raportuar rreth arrestimeve dhe kanë sqaruar më shumë rreziqet dhe kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi. Mu sikur edhe debatet e organizuara me teologë shumë të mirë që ndërlidhen me fushën.

Burim Ramadani nga Security Policy Research Center (SPRC), i  cili është marrë me hulumtime rreth ekstremizmit, thotë se mediat kanë luajtur një rol jashtëzakonisht pozitiv dhe të rëndësishëm, por nuk mund ta quajmë të kryer detyrën sepse sfida e përballjes me këtë ideologji është afatgjatë.

“Me anë të raportimeve duhet të ndihmojnë në zdeshjen e kësaj propagande të cilën po e bëjnë ISIS-i dhe organizatat tjera që kanë krijuar një lidhje me publikun dhe kanë bërë një propagandë mjaft të avancuar”, thekson ai.

Por, nganjëherë ka mundur të arrihet edhe efekti i papritur, ndoshta edhe i kundërt.

“Mediat kanë servuar mesazhin tek qytetarët tonë apo thënë më mirë tek ata të cilët e kanë përqafuar atë ideologji dhe i janë bashkuar konfliktit. Videot e publikuara çdo ditë lidhur me bombardimet e Asad-it kanë ndikuar tek të rinjtë të cilët kanë menduar se është mirë të shkojnë dhe t`i mbrojnë muslimanët”, mendon Përteshi i QKSS-së.

Kjo sipas tij, nuk ndodhi vetëm me mediat e Kosovës, por më tepër mund të shikohet si një trend global i cili është përhapur edhe nga top mediat botërore. Ndikim të madh në përhapjen e propagandës së ISIS-it, thotë Përteshi, kanë pasur edhe videot të cilat publikoheshin në gjuhën shqipe dhe mbeteshin top lajme në mediat tona për një kohë të gjatë.

Liridona Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM