Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.
Presidenti i KOK-ut e falënderoi Kryeministrin Kurti për mirëpritjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që po i jep sportit në vend dhe njëkohësisht prezantoi punën dhe objektivat e Komitetit Olimpik të Kosovës për zhvillimin e sportit në vend. Veçanërisht u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit drejt zhvillimit të sportit elitar, sportit për të gjithë, shkollor dhe universitar.
Kryeministri Kurti, tregoi gatishmërinë e tij për përkrahjen e sportit si fushë me interes dhe prioritet shtetëror.
Sporti përveç që fuqizon imazhin pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duhet të bëhet kulturë në vendin tonë, tha ai.
U diskutua edhe për infrastrukturën sportive si komponentë tejet e rëndësishme për masovizimin dhe rezultatet sportive.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani si dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.