Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama pas betimit që e bëri në seancën inaguruese në Kuvendin Komunal të Prishtinës deklaroi se pranimi i detyrës ishte ditë e veçantë për të dhe banorët e Prishtinës.
Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se tash është koha t’u përvishemi punëve dhe falënderoi gjithë qytetarët për urimet e shumta që ka pranuar këto ditë.
Të dashur qytetarë të Prishtinës,
Pranimi i detyrës dhe betimi për të parin e Prishtinës ishte ditë e veçantë për mua dhe për të gjithë banorët e Prishtinës.
Zëri juaj, vullneti i mirë për të bërë ndryshime të mbara e afatgjata në Prishtinën tonë të zemrës nuk është më moto e fushatës, por zotim i imi dhe i ekipit tim.
Në këtë seancë inauguruese të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhashë betimin si Kryetar i Komunës, i zgjedhur nga ju, besim i cili më jep përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe nderin më të madh e më të përgjegjshëm të jetës sime.
Tash është koha t’u përvishemi punëve!
Ju falemnderit të gjithëve për urimet e shumta që kam pranuar këto ditë.
Na priftë e mbara!