Në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi një takim të përbashkët me grupin e Senatorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen nga New Hampshire, Petter Welch nga Vermont dhe Mike Rounds nga Dakota e Jugut.
Maqedonci fillimisht shprehu mirënjohjen për kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të vendit tonë, si dhe i falënderoi senatorët për angazhimin e tyre në mbështetje të Kosovës.
Ndër temat e diskutuara ishte edhe situata e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit, pas ngjarjeve të sulmit terrorist të datës 24 shtator në Banjskë, me ç’rast ministri Maqedonci i informoi senatorët edhe mbi të gjeturat e dala pas sulmit në fjalë.
Ministri shprehu qëndrimin e Republikës së Kosovës se zgjidhja politike përmes dialogut është opsioni më i mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për të kërkuar përgjegjësi nga akterët destabilizues në rajon, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.